“Jeni mbrapa”/ Paketa vjetore e zgjerimit, KE: Ballkani jo vetëm progres, edhe dështime

10/10/2022 16:13

Në 12 tetor, Komisioni Europian i jep dritën jeshile paketës vjetor te zgjerimit, por progres-raportet për vendet e përfshira në proces, nuk do të fokusohen vetëm tek elementet pozitive.

Në fakt, sipas REL, ato do të nxjerrin në pah pikërisht shqetësimet për mungesën e progresit në disa fusha, si edhe dështimeve. Fillimi i negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të përmendet si zhvillim kryesor pozitiv në procesin e shtrirjes së bllokut dhe afrimit me  rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pritet po kështu konfirmimi se Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave me vendet evropiane dhe se Komisioni nuk lëviz nga qëndrimi i tij se vizat për qytetarët e Kosovës duhet të hiqen. Por po kështu do të shpërfaqet hapur pakënaqësia me ecurinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për forcimin e sundimit të ligjit, për reformat e gjyqësorit dhe për lirinë e medieve.

Apeli për më shumë progres në këtë drejtim pritet të përsëritet për pothuajse të gjitha shtetet e rajonit. Ndonëse ka një lloj progresi në këto fusha, Komisioni Europian vlerëson se në të shumtën e rasteve zbatimi i reformave është në fazën fillestare. Komisioni do të raportojë në këto dokumente edhe për sfidat e vendeve të rajonit në furnizimin me energji elektrike, si dhe për bashkëpunimin e tyre me BE-në në këtë drejtim. Raportet vjetore të progresit analizojnë në detaje arritjet e secilit vend në fushat dhe kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE. Vendet e rajonit aktualisht, ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.

Top Channel