
Nuk kanë të reshtur protestat në Iran; dhjetëra të vrarët në radhët e tubuesve nuk e kanë ndaluar hovin e indinjatës popullore që shpërtheu në qytete të ndryshme të vendit pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amin në duart e policisë së moralit.
Pamjet e fundit filmike tregojnë studentë nga Fakulteti i Arteve në Universitetin Azad të Teheranit duke marrë pjesë në një protestë të artit të performancës, me duart e ngritura lart dhe pëllëmbët e lyera me bojë të kuqe, duke simbolizuar kështu gjakun në duart e autoriteteve.
Amini dyshohet se është rrahur brutalisht nga policia sepse dyshohet që nuk respektoi kodin e rreptë të veshjes së republikës islame për gratë.
Autoritetet iraniane pretendojnë se vdekja e saj ishte pasojë e një sëmundjeje, por kjo nuk i bind protestuesit, që thonë se zyrtarët e rendit po gënjejnë haptazi. Më herët, në një zhvillim të rrallë për vendin hermetik, televizioni shtetëror Iranian u hakua gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, si shenjë proteste për krerët shtetërorë.
Grupi i hakerëve e quante veten “Adalat Ali”, apo “Drejtësia e Aliut”. Protestat tashmë kanë hyrë në javën e katërt. Teheranit fajëson ata që i quan armiq te huaj për tubimet masive, e muajin e kaluar njoftoi se kishte arrestuar nëntë shtetas europianë për rolin e tyre në trazira.
Top Channel