Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që biznese të vogla dhe të mëdha, vendase apo ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, janë në kërkim të punonjësve nga nivelet e bazës deri tek ato më të kualifikuarat.
Eranda Ymerali, eksperte punësimi: Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në vend, shohim një kërkesë të lartë edhe nga bizneset private për ekspertë në fushën e sigurisë kibernetike. Kjo për shkak të sulmeve të fundit të kryera nga disa platformave, atyre më të dhënat personale të shqiptarëve si dhe ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit. Dhe ne aktualisht jemi duke kërkuar dhe po bashkëpunojmë me disa kompani për këto profesione.
Ministria Shqiptare e Mbrojtjes është ndër më të interesuarat për të punësuar në fushën e mbrojtjes kibernetike. Në një nga njoftimet e saj thuhet: Mundësi fantastike punësimi në fushën e mbrojtjes kibernetike!
Forcat e Armatosura po ngrenë një strukturë ekselence për Mbrojtjen Kibernetike dhe ftojnë më të mirët të bëhen pjesë e saj.
Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike ofron 7 vende për specialistë, të cilët përveç pagës konkurruese do të trajtohen edhe me një bonus të veçantë mbi pagë që varion nga 400 deri në 1 milionë shtesë.
Gjithashtu do të kenë mundësi kualifikimi në qendrat e ekselencës së NATO-s dhe akses në programet e Masterit për Siguri Kibernetike në Akademinë e FA etj. Aplikimet mbyllen më 18 tetor 2022!
Ekspertja e punësimit bën edhe një renditje të profesioneve që sot për sot janë më të kërkuarat në treg.
Eranda Ymerali: Në nivelet më të larta vazhdojnë të mbeten përsëri Zhvilluesit dhe Programuesit, Inxhinierët e Telekomunikacionit, apo inxhinierë të profileve të ndryshme. Për këto profesione, tregu në Shqipëri nuk ka mjaftueshëm kandidatë. Dhe ata kandidatë që janë ose kanë qenë përthithen nga tregjet e huaja, nga Gjermania, Anglia, Amerika etj. Në profesione të niveleve të mësme ka kërkesa të mëdha për hidraulikë, teknikë, mekanikë etj. Pastaj në nivele më të ulëta ka kërkesa të mëdha për shitës, ndihmësshitës, arkëtarë, por edhe punëtorë krahu dhe pastrimi.
Top Channel