Goli, dedikimi i veçantë për të atin dhe trajneri Potter: Armando Broja hap zemrën

09/10/2022 10:46

Armando Broja do e mbajë mend gjatë të dielën e 8 tetorit, që solli golin e tij të parë zyrtar me fanellën e Chelsea, klubin e zemrës aty ku bën pjesë prej moshë 8-vjeçare.

Sulmuesi shqiptar erdhi nga stoli dhe realizoi golin e tretë në suksesin 3-0 ndaj Wolves. 21-vjeçari shfaqi gjithë kualitetin që zotëron dhe dërgoi në festë tifozët e pranishëm në “Stamford Bridge” me golin e bukur.

Ai erdhi nga stoli dhe punoi shumë për skuadrën. Brojës i është dashur të tregohet i duruar, por ai ka bërë një punë të madhe në stërvitje, ka punuar mirë dhe është kënaqësi që shënoi gol”, deklaroi trajneri Graham Potter në lidhje me lojtarin e talentuar nga Malësia e Madhe.

Jam pa fjalë në lidhje me golin tim të parë me klubin tim të fëmijërisë. Faleminderit të gjithë fansave, urime ditëlindjen babi”, shkroi Broja në rrjetet sociale rreth momentit magjik, ndërkohë që të atit i bëri dhuratën më të bukur me atë gol fantastik.

E mahnitshme kjo që po më ndodh. Pashë Kovacic që mori topin dhe e dija se duhet të nisesha në sprint menjëherë për t’i dalë mbrojtësit nga pas. Kova më dhuroi një pasim të shkëlqyer. Më pas shfrytëzova instinktet e mia.

Gjuajtja dhe për fat topi përfundoi në rrjetë. M’u desh të prisja disi pasi VAR-i po kontrollonte për pozicionin tim, por goli u konfirmua dhe u lumturova shumë. Emocionet nisin të shpërthenin, ishte një moment surreal për mua dhe familjen time.

Sot (dje) është ditëlindja e babait tim, sa bukur që shënova gol për të. Jam i lumtur, performanca e ekipit ishte e mahnitshme, gjithçka shkoi për mrekulli”, deklaroi Broja për Chelsea TV, teksa nuk mungoi një koment për trajnerin.

Ai është një person shumë i mirë, është e lehtë të flasësh dhe të merresh vesh me të. Ai të motivon dhe inkurajon gjatë gjithë kohës. Gjithmonë ma përsërit se duhet të punoj fort, të shfrytëzoj mundësitë e mia dhe të ndihmoj ekipin sa më shumë të mundem”, deklaroi Armando Broja./Supersport

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA