Ish-anëtari i bandës së Durrësit, Indrit Dokle është shoqëruar këtë mbrëmje në polici. Gjatë kontrolleve rutinë në kryeqytet, Dokle u kap teksa po qëndronte me një person të shpallur në kërkim.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton se në momentin e ndalimit, Dokle ndodhej në një mjet të blinduar në shoqërinë e disa personave të tjerë. Aktualisht, ai ndodhet në dhomat e shoqërimit të policisë së Tiranës.
Ish-anëtari i bandës së Durrësit është dënuar më herët me burgim të përjetshëm, por dy vite më parë arriti të fitojë lirinë.
Ai doli nga qelia pasi avokati paraqiti arsyetimin se klienti i tij “kishte kryer 25 vite burgim dhe ishte sjellë mirë”, ndërsa shtoi se Dokle nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Përveç burgimit të përjetshëm si anëtar i bandës së Durrësit, ku akuzohej për dhjetëra vrasje, plagosje dhe krime të tjera, Doke ishte dënuar edhe me 16 vite të tjera heqje lirie për shkak se drejtonte trafikun e drogës nga burgu. Ai ishte anëtari i vetëm i bandës që ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por u kthye sërish i lirë në rrugë.
Emri i Indrit Dokles u lakua disa javë më parë, kur u zbërthyen dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumanit.
Dumani ka rrëfyer para prokurorisë se një ndër vrasjet që kishte premtuar se do të kryente, ishte edhe ajo e Dokles.
Sipas tij, porositësi ishte Ervis Martinaj, një personazh problematik i botës së krimit, që nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit policor, në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’ e që tani policia nuk ka informacione për të, as nëse është ende gjallë.
Për këtë porosi, dyshohet se Martinaj i kishte ofruar një pagesë të majme Dumanit, por objektivi rezultoi aspak i lehtë dhe qëllimi i Martinajt nuk u arrit.
Top Channel