Forumi i Sigurisë në Europën Juglindore organizuar nga Këshilli Atlantik i Malit të Zi, në ditën e dytë të punimeve u përqendrua tek sfidat që ka sjellë lufta në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përmes lidhjes me video iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit dhe qytetarëve të Cetinës, të cilët 100 ditë protestuan pa ndërprerje kundër agresionit rus në Ukrainë.
Forumi i Sigurisë, një nga konferencat kryesore politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, organizuar nga Këshilli Atlantik i Malit të Zi, që po mbahet në qytetin malazez Budva, po përqendrohet tek sfidat që ka sjellë lufta e Rusisë në Ukrainë dhe tek nevoja e një të ardhmeje Euro-Atlantike për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Paneli i sotëm me temën e luftës në Ukrainë mblodhi ekspertë të kësaj fushe, të cilët folën për pasojat dhe sfidat e saj rajonale dhe globale.
Fillimisht, përmes lidhjes me video foli presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili iu drejtua pjesëmarrësve të Forumit dhe qytetarëve të Cetinës.
Zelenski tha se uniteti është garantuesi kryesor i paqes dhe është detyrë në ruajtjen e saj.
“Rusia ka frikë nga uniteti ynë, ndaj po përpiqet të na përçajë. Detyra jonë është ta ruajmë në mënyrë që të mos na thyejë dot. Uniteti është garantuesi i paqes”, tha Zelensky.
Ai po ashtu tha se të gjitha vendet evropiane duhet të shkatërrojnë ndikimin rus pasi ai kërcënim nuk është vetë për Ukrainën.
“Në të gjitha nivelet në Evropë, ne duhet të pranojmë se Rusia nuk është vetëm një kërcënim për Ukrainën, por për të gjithë. Tingëllon pak e pazakontë për Evropën, por tani e shihet se si Rusia mund të fillojë një luftë”, tha Zelensky.
Sipas tij, për shumë vite kreu i Rusisë dhe rrethi i tij mbetën të pandëshkuar. Ata siç tha ai, shkatërruan edhe demokracinë në Rusi.
Duke folur për sanksionet kundër Rusisë, Zelenski tha se janë të detyrueshme.
“Ato duhet të përforcohen rregullisht në mënyrë që shteti agresor të mos ketë kohë të përshtatet”, tha presidenti i Ukrainës duke shprehur besimin në fund në fitoren përfundimtare të Ukrainës që sipas tij do të rivendos paqen dhe lirinë në këtë vend.
Në panelin e ditës së dytë të Forumit morën pjesë presidenti i Sllovenisë Borut Pahor dhe ai i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, të cilët folën për rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit evropian me vendet e rajonit.
Ata u shprehen kundër vakumit gjeopolitikë sepse ku nuk ka BE, hyjnë të tjerët dhe zgjidhja më e mirë për Ballkanin Perëndimor është europianizimi i mëtejshëm dhe anëtarësimi i tij në Bashkimin Europian.
Forumi mbi sigurinë shënon dymbëdhjetë vjet të përpjekjeve të për të ndikuar, ndryshuar dhe të jap përgjigje për sfidat e ndryshme rajonale dhe globale.
Në Forum po marrin pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, si dhe ekspertë të njohur në fushën e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Top Channel