Veliaj pret kreun e Qatar Charity: Mirënjohje për mbështetjen në ditët e vështira pas tërmetit dhe investimet në arsim

07/10/2022 21:16

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti sot kreun e “Qatar Charity”, Abdulrazak bin Abduljalil Abdulghani Al-Abdulghani – fondacioni që ka financuar një sërë projektesh arsimore në Tiranë.

Duke shprehur mirënjohjen e veçantë për Shtetin e Katarit, që i është gjendur pranë Shqipërisë dhe Tiranës në momente të vështira, qoftë pas tërmetit të nëntorit 2019, ashtu edhe gjatë pandemisë, Veliaj falenderoi miqtë për ndihmën e vyer edhe në ngritjen e një sërë veprash infrastrukturore, krysisht shkolla e kopshte.

Në shenjë simbolike, Veliaj i dhuroi z. Abdulrazak bin Abduljalil Abdulghani Al-Abdulghani edhe jelekun tradicional të Tiranës. “Ndihma dhe mbështetja juaj për ne ngjason paksa me një jelek të tillë. Pas fatkeqësisë së tërmetit dhe ditëve të vështira të pandemisë bamirësia juaj u fokusua më tepër furnizimi me ushqime. Sot mbështetja juaj ka të bëjë me edukimin dhe arsimimin, investime që do të mbeten aty në përjetësi. E vlerësoj jashtëzakonisht ndihmën tuaj,” u shpreh Veliaj.

Në takimin me miqtë e Fondit të Katarit u diskutua për rritjen e bashkëpunmit për projekte konkrete në vijim, mbylljen e disa projekteve në proces, por edhe gjetjen e mundësive te reja për invistim.

Nga ana e tij, Abdulrazak bin Abduljalil Abdulghani Al-Abdulghani vlerësoi mikpritjen e shtetit shqiptar dhe tha se bashkëpunimi mes dy vendeve do të përforcohet. “Nga mënyra se si ju i trajtoni marrëdhëniet mes Katarit dhe Shqipërisë, jam i sigurt se do bëhet shumë më tepër se ç’është bërë deri më sot. E mbështes atë çka ju thatë në lidhje me investimet, projektet në sektorin publik, apo nivel kombëtar, të cilat do jenë shumë shpejt të prekshme në të ardhmen,” u shpreh ai.

Më pas, Veliaj dhe Abdulrazak bin Abduljalil Abdulghani Al-Abdulghani vizituan Kolegjin Fexhr, një prej investimeve të Qatar Charity në Tiranë. “Ky është një moment i jashtëzakonshëm, për t’i shprehur mirënjohjen tonë, falënderimin tonë dhe një duartrokitje të madhe Abdulrazak bin Abduljalil Abdulghani Al-Abdulghani, ish ambasador, një shtetar i shtetit të Katarit, por mbi të gjitha, në mënyrë private, përtej punëve të veta të shtetit thotë: Një pjesë e asaj që Zoti më ka dhënë mua, do ta vë mënjanë për këtë institucion, ndaj meriton gjithë mirënjohjen dhe gjithë respektin tonë,” tha Veliaj.

Shkolla Jeronim De Rada, Kopshti “Sunny Hill”, shkolla “16 Shtatori” në Pezë të Madhe dhe shkolla “Lasgush Poradeci” janë disa prej investimeve të Qatar Charity në qytetin e Tiranës, ndërsa së shpejti do të vihet në jetë edhe projekti “Qatar Square” tek Bulevardi i Ri.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA