Tensione turko-greke/ Erdogan dhe Mitsotakis shkëmbejnë replika në samitin e Pragës

07/10/2022 19:45

Ata që kishin edhe një farë shprese të vogël se në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian të Pragës, Mitsotakis dhe Erdogan do të ulnin tonet, jo vetëm u zhgënjyen, por panë edhe një seri tjetër të retorikës turko-greke.

Shenjat e para u dukën qysh me fotografinë familjare, kur njëri shihte drejt perëndimit dhe tjetri drejt lindjes ,pa shkëmbyer as më të voglin vështrim.

Më pas në darkën zyrtare, ishte radha e deklaratave ,së pari nga presidenti turk i cili akuzoi Greqinë se po rrit tensionin dhe po provokon. Menjëherë ka marrë fjalën Mitsotakis që i është përgjigjur drejtpërdrejt z. Erdogan se duhet të ndalojë vënien në dyshim të sovranitetit të ishujve grekë. President turk që është larguar i pari nga mbrëmja i pyetur më pas nga një gazetare greke në se është kërcënim shprehja që ai përdor se -do të vijmë një natë -është përgjigjur:

“Kjo nuk vlen vetëm për Greqinë, por për çdo vend që na shqetëson dhe na sulmon. Përgjigja jonë ndaj tyre është: ‘Mund të mbërrijmë papritur një natë’. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë dhe ta kuptojnë këtë”.

Disa orë më vonë i pyetur për këtë incident Mitsotakis ka deklaruar:

“Greqia nuk provokon kurrë, por gjithmonë përgjigjet me vetëbesim sa herë që provokohet. Ishte një mundësi e klasit të parë përmes këtij dialogu, i cili u zhvillua para të gjithë udhëheqësve, që kolegët e mi që mund të mos kenë njohuri të thella për këto çështje, të kuptojnë se kush është ai që provokon, kush është ai që ngre tonet dhe kush është ai vend që mbron me besim sovranitetin dhe të drejtat e tij sovrane”.

Ndërsa Erdogan është shprehur se për momentin nuk ka asgjë për të diskutuar me Greqinë ,por me kalimin e kohës do të ketë një mundësi për të biseduar, Mitsotakis ka deklaruar se edhe një herë se Greqia mbyll të gjitha dritaret ndaj çdo sfide ,por lë hapur derën e dialogut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA