Samiti i Pragës, kriza energjetike: “Korridor dinamik gazi” për çmimin!

07/10/2022 15:14

Kërkimi i ethshëm i një zgjidhjeje të ngërçit energjetik, vazhdon në radhët e BE-së, e disa vende të bllokut kanë dalë së fundi me një propozim i cili synon kufizimin e paqëndrueshmërisë në tregun e gazit duke futur një “korridor dinamik të çmimeve” për të parandaluar që çmimet të shkojnë shumë lart ose shumë poshtë, duke siguruar kështu që Europa të mund të blejë gazin që i nevojitet në tregjet botërore.

Dokumenti nga Italia, Polonia, Greqia dhe Belgjika, u paraqit në kohën kur samiti i Pragës, në ditën e dytë të tij, fokusohet ndër të tjera edhe tek kriza e energjisë, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë. Rritja e ndjeshme e çmimit të gazit dhe të energjisë elektrike ishte pasojë e kufizimeve të furnizimit me energji ruse për Europën.

Moska pretendon se këto kufizime janë një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur Rusisë për shkak të agresionit të saj të pajustifikuar ndaj Ukrainës. Në BE ka mosmarrëveshje mes shteteve anëtare mbi mënyrën se si të trajtohet kriza me energjinë. Disa prej tyre insistojnë në vendosjen e një tavani të cmimit të gazit, të tjerë, përfshirë Gjermaninë, paralajmërojnë se kjo mund të jetë e rrezikshme. Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e pohoi disa ditë më parë se BE-ja është e gatshme ta diskutojë çmimin tavan në importet e gazit, për të shmangur rritjen e madhe të çmimeve të energjisë. Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht në një shtet.

Nga Praga, Kryeministri Edi Rama theksoi se ministrat e energjisë së Ballkanit Perëndimor do të marrin pjesë në Ministerialin e Jashtëzakonshëm që do të zhvillohet në këtë qytet edhe me homologët e bllokut e të tjerët me qëllimin që çështja e krizës energjetike të trajtohet si çështje europiane, e jo thjesht e BE-së.

Rama pohoi se në tryezën e përbashkët me kryeministrin e Holandës fokusi kryesor ka qenë pikërisht kriza energjetike dhe mënyrat sesi edhe vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, mund të ndihmohen drejtpërdrejt.

“Kam insistuar se këtu s’duhet të ketë diferenca dhe duhet të përfshihen të gjitha vendet, të 6 vendet domethënë, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat”, ishte komenti i tij. Samiti i Pragës ndërkohë, që bëri bashkë liderët e 44 vendeve europiane, kërkoi gjithashtu t`i dërgonte një sinjal të qartë Rusisë se Europa është e bashkuar dhe pa të.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili është edhe ideatori i Komunitetit Politik Europian, insistoi se ky takim dëshmoi qartë që solidaritetin e kontinentit europian, teksa ai përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë”. Sipas tij synimi, pikë së pari, është “të këmbehen pikëpamjet për situatën në  Europë, por edhe të ndërtojnë një strategji të përbashkët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA