Qeveria ka rihedhur sërish për konsultim publik projektligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, një nga nismat më të debatuara që në lançimin e saj.

Mbyllja e konsultimit të parë të projektligjit ishte parashikuar në gusht, por ekzekutivi e ka rikthyer sërish atë duke marrë më shumë kohë për shqyrtimin e tij.

Drafti parashikon që subjektet që do të pajisen me një licencë duhet të kenë edhe një tjetër të ngjashme në një vend tjetër të OECD-së si dhe zotërues të GMP, praktika e mirë e prodhimit të lëshuara nga EMA ose FDA, Agjencia Amerikane për Ushqim dhe Barnat.

Për këtë qëllim do të krijohet edhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit e Përpunimit të kanabisit, strukturë e së cilës do të miratohet nga kryeministri.

Pjesë e saj do të jetë Komisioni i licencave që në përbërjen e tij do të ketë përfaqësues nga shëndetësia, ministria për rendin dhe sigurinë publike, ministria e bujqësisë si dhe ajo e ekonomisë.

Licencat do të jepen për një periudhë 15-vjeçare, vetëm për subjektet që plotëosjnë kriteret e përcaktuara në ligj. Aktivitetet e përfshira në këtë licencë nuk mund të transferohen te të tretët, me përjashtim të atyre të lejuara në përshkrimin e saj.

Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar, ndërsa e njësisë së licencës së dhënë nga 5 deri në 10 hektarë.

Kushtet e licencës sipas projektligjit do të rivlerësohen çdo 3 vjet nga Agjencia përkatëse, ndërsa kontrolli e monitorimi i prodhimit apo tregtimit të kanabisit do të bëhet nga një njësi e specializuar brenda saj.

Drafti parashikon edhe ndëshkim me gjobë deri në ndalim të kryerjes së veprimtarisë për shkelje dhe kundravajtje të rënda.

Top Channel