Polonia i kërkon SHBA armë bërthamore, Rusisë i marrin disa fshatra të aneksuar!

05/10/2022 18:23

Presidenti polak, Andrzej Duda njoftoi se vend ii tij po zhvillon bisedime me  Shtetet e Bashkuara me qëllimin të përfshihet në Programin për shkëmbim bërthamor, i cili u lejon shteteve aleate të marrin armë bërthamore amerikane dhe të jenë në gjendje t’i përdorin ato nëse Amerika ua lejon.

Andrzej Duda, president i Polonisë : Problemi i parë është se ne nuk kemi armë bërthamore. Nuk ka asnjë tregues se Polonia mund të ketë armë të tilla në një të ardhme të afërt. Gjithmonë ka mundësi që të marrim pjesë në Programin për shkëmbim bërthamor. Ne kemi biseduar me liderët amerikanë nëse SHBA-ja po e shqyrton një mundësi të tillë. Kjo çështje është diskutuar.

Sipas kreut të shtetit, kërcënimet ruse për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore tregojnë për mendësinë se “nëse Rusia nuk është e madhe, bota mund të pushojë së ekzistuari”, por ato po merren seriozisht në vendin fqinj.

Belgjika, Norvegjia, Gjermania, Italia dhe Turqia janë pjesë e programit për përgjigje bërthamore dhe kanë armë bërthamore në bazat e tyre. Megjithatë, mund t’i përdorin ato vetëm brenda kornizës së NATO-s për mbrojtje të përbashkët dhe me lejen e SHBA-së.

Ky zhvillim vjen në kohën kur forcat ukrainase moren disa fshatra në zonat e aneksuara nga Rusia. Por Moska pretendon se ka sërish kontrollin e disa prej këtyre territoreve, që tashmë sipas saj, janë dhe do të mbeten pjesë e Rusisë. Ukraina njoftoi më herët se forcat e saj kishin avancuar në Kherson, Kharkiv, Luhansk e Donetsk.

Pikërisht dështimet në terren mendohet se mund ta nxisin zemërimin e Vladimir Putinit që nuk pranon dot disfatën, dhe kërcënon të përdorë kartën e fundit që ka në dorë, armët atomike. Putini nënshkroi sot ligjet që përfshijnë katër rajone ukrainase në kuadër të Rusisë, një veprim ky që përmbyll aneksimin e shpallur në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Top Channel