Pavarësisht kritikave të shumta, hijeve të dyshimit për tendera korruptivë e favorizime klienteliste, rilindja urbane ka ecur përpara me hapa galopantë.
Për këtë mjafton t’u hedhim një sy fondeve zemërgjera që qeveria ka vënë në dispozicion.
Më konkretisht, në vitin 2013 Rilindja urbane nisi me një fond modest prej vetëm 2.82 milionë euro. Në vitin 2014, ky fond shënoi një rritje të ndjeshme duke kapur shifrën e 73.78 mln euro.
Më 2015, që është vit elektoral, fondi për rilindjen urbane u dyfishua dhe dhanë plot 147 mln euro, ndërkohë që në vitin 2016 fondi i rilindjes urbane pësoi një tjetër rritje dhe arriti në 274 mln euro.
Përgjatë 2017-ës, vit në të cilin kryeministri Rama do të kërkonte mandatin e dytë qeverisës, ‘thesi” i Rilindjes Urbane shkoi në 358 mln euro. Rritja, ndonëse me shifra modeste, vijoi edhe përgjatë 2018-ës dhe 2019-ës, vite për të cilat u vunë në dispozicion të Rilindjes Urbane respektivisht 363 mln euro dhe 365 mln euro.
Në 2020, një vit i vështirë me termet dhe pandemi, qeveria shqiptare ndau nga buxheti i shtetit plot 400 mln eurove për “Fondin e Zhvillimit të rajoneve”.
Vetëm për vitin 2019 në emër të Rilindjes urbane janë tenderuar 581 projekte, me një vlerë prej 365 mln euro, të cilët u morën përsipër nga 338 kontraktorë.
Referuar dhjetëra kërkesave për informacion që Inside Story dërgoi pranë çdo njësie të qeverisjes vendore, paratë e rilindjes urbane janë përqendruar vetëm në disa duar.
Top Channel