Nuk i ulet taksa të pasurve/ Angli, vendimi i kryeministres së re shkaktoi debate të forta

03/10/2022 15:34

Pa mbushur muajin në krye të qeverisë britanike, kryeministrja e re Liz Truss, ka bërë sot në mëngjes një kthesë 360 gradë në politikën e saj për uljen e taksës për të pasurit, çka duket se ka shkaktuar revoltë jo vetëm në radhët e deputetëve konservator të mbledhur në konferencën vjetore të partisë së tyre në Bimingam, por ka shkaktuar një krizë të madhe ekonomike, me pasoja dhe dëm financiar për ekonominë dhe britanikët e thjeshtë, njofton nga Londra korrespondenti i Top Channel, Arben Manaj.

Sipas qeverisë së re të kryeministres Liz Truss në mini-buxhetin e qeverisë,  të pasurit që kanë  të ardhura mbi 150 mijë stërlina në vit nuk do paguanin me 45 për qind të të ardhurave, por 40 për qind taksë, çka do u siguronte atyre të ardhura më të mëdha, ndërkohë që ata me të ardhura më të ulëta, dhe shumë të ulëta do përfundonin më keq ekonomikisht.

Njoftimi i kësaj pakete fiskale që ndihmonte super të pasurit e Britanisë, rezultoi tejet jo popullore dhe bëri që sondazhet e opinionit publik të ishin shkatërruese për konservatorët e mbledhur këtë të hënë në konferencën e tyre vjetore në qytetin e Birmingamit.

Përpara dhjetë ditësh kjo politike u prezantua si triumf nga Ministri i ri i Financave, për të përfunduar e braktisur dhe hedhur në kanalet e shumta ujore të Birmingamit, ku qeveria duket e poshtëruar, e plagosur dhe e dobësuar.

Qasja e qeverisë së re britanike dhe mini-buxheti i paraqitur shkaktuan reagimin e tregjeve financiare ndërkombëtare dhe rënien e vlerës së sterlinës angleze në nivelin më të ulët në mbi 200 vjet me dollarin amerikan.

Njoftimi i sotëm për braktisjen e kësaj politike duket se e ka forcuar deri diku sterlinën por bankat britanike kanë rritur normat e interesit për kreditë imobilare çka kanë bërë që miliona britanik të goditen rëndë në xhepat dhe shtëpitë e tyre që ata i konsiderojnë “kështjella”.

Shumë deputetë konservatorë janë alarmuar nga papërgjegjshmëria ekonomike e qeverisë së Kryeministres së re e cila nuk kishte mbështetjen e shumicës së deputetëve konservator, dhe nuk ka as mandatin popullor, pasi kryeministrja e re nuk është zgjedhur në këtë post nga elektorati britanik në zgjedhje të reja parlamentare.

Edhe pse zgjedhjet e reja janë ende shumë larg, dëmi për kredibilitetin e qeverisë së re një mujore të Liz Truss, është bërë. Kjo shihet ne reagimin e tregjeve financiare, në vlimin e rebelimit në radhët e grupit parlamentar dhe sondazhet e opinionit publik që e vendosin partinë konservatore në pushtet 33 pikë pas laburistëve të opozitës, diferenca më e madhe mes dy partive kryesore për shumë dekada.

As Kryeministrja as Ministri i saj i Financave nuk kanë kërkuar ndjesë për këtë dështim politik, por mënyra se si do e përcjellin mesazhin tek të lënduarit dhe opinioni i gjerë politik dhe publik në Britani do vazhdojë të jetë relevant në ditët dhe javët e ardhshme, dhe vendimtar për të ardhmen politike të partisë konservatore britanike të qendrës së djathtë.

 

Top Channel