Kostoja e jetesës/ Italianët “djegin” Romën: I vënë zjarrin faturave të energjisë

03/10/2022 22:58

Sindikalistë, anëtarë partish opozitare e banorë të thjeshtë janë bërë bashkë në Romë për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës në Itali.

Protestuesit e mbledhur përpara ndërtesave publike dogjën fatura energjie, dhe denoncuan spekulimet e kompanie energjetike, si dhe mungesën e veprimeve të qeverisë në mbrojtje të konsumatorit.

“Jemi këtu për të protestuar kundër inflacionit galopant dhe rritjes së çmimeve. Kompanitë e energjisë spekuluan me 40 miliardë fitime ekstra vitin që shkoi, ndërkohë që papunësia u rrit dhe njerëzit humbën vendet e punës. Shteti legjitimon spekulimin, ndërsa njerëzit nuk arrijnë dot të sigurojnë bukën e gojës. Duam t`i dërgojmë një mesazh kryeministres së ardhshme Giorgia Meloni e t`i themi se e dimë që do të vazhdojë të ndjekë ‘agjendën Draghi’, duke ia ngarkuar popullit peshën e inflacionit. Por duhet ta dijë se këtu ka një opozitë, se vendi e ka një alternativë”, thotë Beatrice Gamberini, anëtare e partisë së majtë ‘Potere al popolo’.

“Faturat e energjisë, qindra euro më shumë: Për të mos llogaritur pastaj se ka njerëz që kanë nevojë për kujdes të shtuar, që do të thotë më shumë energji, më shumë gaz..Nuk durojmë dot më”, shprehet Armando Tolo.

“Do të ketë shumë trazira këtë vjeshtë në Itali, sepse edhe të rinjtë do të jenë në krah të punëtorëve dhe të sindikalistëve. Nuk është e mundur që faturat e energjisë të rriten me 60%. Nuk është e mundur që në Itali të jemi sërish ne të rinjtë dhe klasa punëtore ata që duhet të paguajnë zgjedhjet e bëra prej kriminelëve që na qeverisin”, thotë studentja Eva Olivero.

Ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës po kalon një krizë të kostos së jetesës, të përkeqësuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Por, si zakonisht, është jugu i Italisë, i rrënuar prej kohësh nga varfëria dhe papunësia, që e ndjen më fort peshën e saj. “Unë paguaj qiranë dhe faturën e dritave, e pastaj nuk më mbeten para për ushqim”, thotë 60-vjeçari Antonio Mela, që jeton me një pension prej 500 eurosh.

Energjia është një shqetësim i madh për vendin e varur nga gazi rus, por kjo ndihet më shumë në rajonin e Kampanias, i cili, sipas  Observatorit Italian të Varfërisë, ka numrin më të madh të njerëzve që mezi arrijnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe gazit.

Top Channel