Gazpromi rus njoftoi se rrjedhja në tre linjat e dëmtuara të tubacionit Nord Stream në Detin Balltik është ndaluar tashmë, dhe se furnizimi mund të rifillojë përmes linjës së vetme që ka mbetur e paprekur.

Në një deklaratë të tij, gjiganti rus i gazit pohoi se presioni tashmë në të tre linjat është stabilizuar dhe po punohet për zvogëlimin e rreziqeve mjedisore.

Zyrtarët europianë nisën menjëherë hetimet në momentin që u zbuluan rrjedhje të mëdha në dy tubacionet ruse të gazsjellësit Nord Stream. Gjermania, Danimarka dhe Suedia folën për sabotim. Nord Stream 1 raportoi rënie të ndjeshme presioni në të dy linjat e tij,  ndërsa Nord Stream 2 raportoi një rënie të ngjashme të mprehtë të presionit në linjën e tij ‘A’. Megjithatë, sipas Gazpromit linja ‘B’ e Nord Stream 2 mund të eksportojë sërish gaz në Europë, nëse do të merrej një vendim për të rifilluar dërgesat. Nord Stream 1-sji ka qenë plotësisht funksional përpara se Rusia të reduktonte dhe më pas të ndalonte flukset e gazit gjatë gjashtë muajve të fundit, duke nxjerrë si shkas mospagesën në rubla ruse dhe probleme teknike. Por Nord Stream 2 i përfunduar së fundmi nuk kishte dalë kurrë në pah duke qenë se Gjermania, në pikën ku ai prek tokën, e ngriu procesin e autorizimit të vënies së tubacionit të shumëdiskutuar në funksion, pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Dy ditë më parë, Moska e Washingtoni shkëmbyen akuza në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke akuzuar njëra-tjetrën për dëmtimin e tubacionit përmes të cilit Rusia furnizon me gaz kontinentin e vjetër. Ambasadori rus, Vassily Nebenzia e deklaroi hapur se Shtetet e Bashkuara ishin ato që përfitonin më shumë nga dëmtimi i gazsjellësit, por i dërguari i SHBA-së Richard Mills mohoi kategorikisht çdo përfshirje të SHBA-së në incident.

Top Channel