Me një ceremoni në Pallatin Presidencial në Kremlin, presidenti rus Vladimir Putin shpalli këtë të premte aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, ku u zhvilluan referendumet 5 ditore, të cilësuara të rreme nga Perëndimi.
Të pranishëm në ceremoni ishin liderët e caktuar nga Moska të katër rajoneve që Rusia kërkon t’i zyrtarizojë si pjesë të saj: Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Khersoni.
Njerëzit e katër rajoneve të Ukrainës kanë marrë vendimin e tyre. Rezultatet dihen mirë, tha presidenti rus. Ky është vullneti i miliona rusëve, u shpreh ai, teksa u duartrokit nga të pranishmit në Pallatin Presidencial.
Më pas, Putin kërkoi një minutë heshtje në nder të ushtarëve rusë që kanë humbur jetën në Ukrainë. Ata janë heronjtë e Rusisë, tha ai më pas.
Përgjatë fjalimit, shefi i Kremlinit u kthye pas në histori, duke pretenduar se shumë gjenerata rusësh kanë luftuar për këto toka. Ai mbrojti aneksimin e rajoneve në fjalë, duke i mëshuar vazhdimisht idesë se janë territore ruse dhe ka fajësuar Perëndimin se ka bërë përpjekje për të nënshtruar Rusinë. Fjalimi i tij erdhi pas mbajtjes së referendumeve 5 ditore të cilat Perëndimi i konsideron të paligjshme.
Kievi dhe Perëndimi duhet ta kenë të qartë, shtoi Putin, se çdo banor i rajonit të Donbasit do të bëhet shtetas rus përgjithmonë. Presidenti rus u kujdes të theksonte gjithashtu se vendi i tij do të mbrojë tokën që ka, me të gjitha mjetet që disponon.
Më herët, Shtetet e Bashkuara e bënë të qartë se nuk do ta njohin kurrë këtë aneksim. Anthony Blinken në Uashington tha se referendumet e mbështetura nga Rusia në Ukrainë, rezultatet e të cilave po shfrytëzohen nga Moska për të justifikuar aneksimin e territorit ukrainas, ishin një tentativë për grabitje toke që është e paligjshme dhe shkel ligjin ndërkombëtar.
Njerëzit që morën pjesë në këto “referendume të rreme janë nxjerrë me detyrim e nën kërcënimin e armëve nga shtëpitë e tyre ose nga vendi i punës “për të hedhur votat në kuti votimi prej xhami”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres gjithashtu vlerësoi nëse Rusia vë në jetë planet e saj për aneksim kjo do të shënonte një “përshkallëzim të rrezikshëm” që do të rrezikonte perspektivat për paqen në rajon.
Top Channel