Firmosja e aneksimit të 4 rajoneve të Ukrainës nga Rusia, Greqia: Kurrë nuk do ta njohim vendimin

30/09/2022 18:33

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar pas firmosjes së vendimit për aneksimin e paligjshëm të territoreve të aneksuara të Ukrainës në Rusi.

“Ne kurrë nuk do të njohim aneksimin e paligjshëm të territoreve të Ukrainës. Rusia po minon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe po shkel të drejtat themelore të Ukrainës për pavarësi dhe sovranitet. Greqia dhe BE qëndrojnë me vendosmëri me Ukrainën”, shkruan Mitsotakis.

Edhe Ministria e Jashtme greke ka reaguar përmes një deklarate për shtyp.

 “Greqia dënon vendimin për aneksimin e territoreve ukrainase të pushtuara nga forcat ushtarake ruse (Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson) në Federatën Ruse.  Ky vendim është i paligjshëm, pasi është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, dhe i pavlefshëm. Greqia nuk e njeh këtë vendim. Greqia vazhdon të mbështesë, si parim bazë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe të të gjitha shteteve. Ajo do të vazhdojë të punojë për vënien e drejtësisë, si dhe për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit grek në Ukrainë, i cili është sfiduar veçanërisht muajt e fundi”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Kujtojmë se Rusia shpalli sot katër provinca të Ukrainës si pjesë të Federatës Ruse. Aneksimi i Donetskut, Khersonit, Luhanskut dhe Zaporizhias u nënshkrua nga presidenti rus Vladimir Putin gjatë një ceremonie.

Ky veprim u quajt i paligjshëm dhe në kundërshtim me të drejtat themelore nga liderët botërore, ndërsa SHBA-ja ndërmori sanksione të reja.

Top Channel