Është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4 mijë e 646 metrave katrorë, ndërtuar pa leje në qendër të Tiranës.

Përmes një video-mesazhi, Rama tha se 4646 metra katrorë pa leje në mes të kryeqytetit, tashmë i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. Kreu i qeverisë u shpreh se numri i metrave katrorë pa leje është ulur, por ende nuk janë ndaluar sepse sipas tij “e kanë  gjetur gjithnjë rrugën duke paguar inspektorë, ndonjë polic, apo ndonjë shef komisariati.

Edi Rama: Askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës. Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit.

Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime.

E kemi ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë, por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë  gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht  duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur  gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë.

Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia  e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi,  kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri  jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga  kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga  tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto  kohë kaq të vështira.

Ja ku është edhe akti  i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik  të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë!

Top Channel