Sindikata e bashkuar e arsimit u ka propozuar mësimdhënësve që ndodhen në grevë që nga 25 gushti, ta pezullojnë atë nga data 3 tetor deri në muajin janar të vitit të ardhshëm për t’i dhënë hapësirë gjetjes së një zgjidhjeje me qeverinë për përmbushjen e kërkesave të tyre.

Vendimi do të varet nga qëndrimet e sindikatave të shkollave në Kosovë.

Zyrtarët e qeverisë u bën thirrje sot mësimdhënësve që t’i japin fund grevës gjatë një seance të parlamentit të Kosovës, që u përshkua me debate të ashpra ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Partitë opozitare që mbështesin kërkesat e sindikatave, kërkuan nga qeveria që të gjejë zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor.

“320 mijë nxënës që 29 ditë janë nëpër shtëpia e kjo del këtu e bën thirrje. Nuk jeni ju me bë thirrje por me bë zgjidhje, thirrje bëjmë ne dhe po ju bëjmë juve ndërsa ju apet nuk dëgjoni, ne po ju bëjmë thirrje edhe sindikatave por as ata nuk po dëgjojnë. Ju jeni për të bërë zgjidhje e jo thirrje, dilni se nuk jeni në opozitë më, jeni në pushtet e keni kontrollin e plotë të pushtetit, nuk ka hallk të pushtetit që nuk e kontrolloni e këtu dilni bëni thirrje, bëni zgjidhje e jo thirrje”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

“Ja ka nisë me i urrejt ata që e kanë pru këtu, armiqtë e brendshëm njihet kjo, kush janë armiqtë e brendshëm, sindikatat, mësuesit ata duhet me i urrejt dhe me i nënshtru ky. Nuk je duke e nënshtru PAN-in (partitë opozitare) je duke i nënshtru mësuesit dhe do ta tregojnë qefin kur të vjen koha”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria e tij ka bërë përpjekje për të përmbushur kërkesat e sindikatave duke ndihmuar të gjitha kategoritë e punonjësve në Kosovë të përballen me rritjen e çmimeve.

“Arsyeshmëria e mësuesve, arsimtarëve, sindikatës së arsimit dhe këshillit grevist ka qenë që çmimet janë rritur dhe çmimet janë rritur për të gjithë dhe për të gjithë ne kemi pakon e përballjes me inflacion. Problemi nuk ka qenë specifik as në arsyeshmërinë e tyre që kanë shtuar kërkesat dhe ndodhen në grevë. Ata janë kategori e veçantë por problemi nuk është specifik”, tha kryeministri Kurti.

Punonjësit e arsimit kërkojnë 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit te Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin. Takimet ndërmjet palëve deri tani nuk kanë prodhuar rezultat në përafrimin e qëndrimeve që do të hapte rrugë për t’i dhënë fund grevës e cila ka lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës./ Zëri i Amerikës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA