Gjigandi australian i telekomunikacionit Optus zbuloi disa ditë më parë se rreth 10 milionë personave apo gati gjysmës së popullsisë së vendit, u ishin vjedhur të dhënat përmes një sulmi kibernetik.
Disa ekspertë e përshkruan këtë si ngjarjen më të rëndë të kësaj natyre në të gjithë historinë e Australisë. Por së fundi ka pasur zhvillime akoma edhe më dramatike – duke përfshirë këtu shantazhin me qëllim përfitimin e një shpërblimi, dhe retorikat e tensionuara publike.
I gjithë skandali ka bërë të ndizet një debat i ashpër mbi mënyrën sesi autoritetet australiane trajtojnë të dhënat e qytetarëve dhe privatësinë. Optus e bëri publike shkeljen 24 orë pasi vuri re një aktivitet të dyshimtë në rrjetin e saj.
Kompania e dytë më e madhe e telekomunikacionit në Australi pohoi se të dhënat e klientëve aktualë dhe të mëparshëm ishin vjedhur – duke përfshirë emrat, datat e lindjes, adresat e shtëpisë, kontaktet e telefonit dhe e-mailit, si dhe numrat e pasaportës dhe patentës, ndërsa theksoi se detajet e pagesave dhe fjalëkalimet e llogarive nuk ishin komprometuar.
Për çdo rast, konsiderohet se personat të cilëve u janë marrë numrat e pasaportës ose patentës- që janë afërsisht 2.8 milionë vetë- përballen me rrezikun real të vjedhjes së identitetit dhe mashtrimit. Optus njoftoi se po heton shkeljen, e cila duket se e ka origjinën jashtë vendit.
Por pas kësaj, në një forum në internet u publikuan disa kampione të dhënash dhe nga Optus, u kërkua një shpërblim prej 1 milion dollarësh, që duheshin paguar në kriptomonedha. Kompanisë iu dha një javë afat për të dorëzuar paratë, në të kundërt u tha se të dhënat e tjera të vjedhura do të shiteshin pjesë-pjesë.
Top Channel