“E patë se çfarë ndodhi në Itali?”, Biden pë zgjedhjet: Nuk mund të jemi optimistë!

29/09/2022 14:47

Gjatë një mbledhjeje fondesh të organizuar nga guvernatorët demokratë, presidenti amerikan, Joe Biden përmendi zgjedhjet e 25 shtatorit në fqinjin tonë përtej Adriatikut.

Arsyeja, përse shefi i Shtëpisë së Bardhë solli si shembull fitoren e Giorgia Melonit ishte pikërisht për t’i kërkuar personave të pranishëm që të mos jenë dhe aq optimistë për zgjedhjet e mesit të mandatit të 8 nëntorit, të cilat nuk përjashtohet mundësia që të shohin një hov të republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit.

“Sapo patë se çfarë ndodhi në Itali në ato zgjedhje. Po e shihni se çfarë po ndodh në mbarë botën. Arsyeja pse shqetësohem dhe e them këtë, është se nuk mund të jeni optimistë edhe për atë që po ndodh këtu”, citohet të ketë thënë Biden, sipas gazetares së Associated Press Seung, Min Kim, e cila e përshkroi komentin e tij si “një paralajmërim për fatin e demokracisë”.

Zgjedhjet e përgjithshme të Italisë i fitoi partia  Fratelli d’Italia e Melonit, e cila ka lidhur aleancë me Legën e Matteo Salvinit dhe partinë konservatore, Forza Italia të Silvio Bersluconit. Ekspertët mendojnë se se popullariteti i madh i FDI-së lidhet më shumë me pakënaqësitë e italianëve sesa me ndonjë rritje të ndjenjave neofashiste në vend.

Udhëheqësit e partive të krahut të djathtë të Evropës, përshëndetën fitoren e zonjës Meloni dhe ngritjen e shpejtë të partisë së saj, duke e parë si një mesazh historik për Brukselin. Një pjesë e italianëve sakaq zgjodhën të mos votojnë pjesërisht në shenjë proteste për shkak të zhgënjimit nga marrëveshjet e fshehta, falë të cilave që nga zgjedhjet e mëparshme, u formuan tre qeveri.

Top Channel