Volodymyr Zelenskyy iu drejtua me një thirrje të qartë Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Rusia, u shpreh presidenti ukrainas, duhet izoluar ndërkombëtarisht për referendumet false të organizuara në territorin e vendit të tij.
“Në sytë e të gjithë botës, Rusia po zhvillon një farsë të quajtur referendum në territore të pushtuara të Ukrainës. Njerëzit detyrohen të plotësojnë ca letra nën kërcënimin e armëve. Rezultatet e pretenduara këtyre të pseudo-referendumeve janë hartuar paraprakisht. Ekziston vetëm një mënyrë për ta ndalur të gjithë këtë. Së pari është izolimi i Rusisë në përgjigje të gjithçkaje që bën.”
Në lidhjen e tij videofonike, Zelensky këmbënguli që Moskës t`i vendosen sanksione të mëtejshme e t`i hiqet e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Madje për presidentin ukrainas, Moskës i duhet pezulluar anëtarësimi në të gjitha institucionet ndërkombëtare.
“Aneksimi i territoreve të kapura, është shkelja më brutale e Kartës së OKB-së. Kjo është një përpjekje për të grabitur territorin e një vendi tjetër. Është një përpjekje për të fshirë normat e ligjit ndërkombëtar.”
Zelensky shtoi se nëse Rusia i anekson vërtet territoret në fjalë, atëherë nuk do të mbetet asgjë më për të biseduar me Vladimir Putinin. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qarkulluar një draft-rezolutë mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku dënohen referendumet, u bëhet thirrje vendeve të mos njohin statusin e ndryshuar të Ukrainës dhe ta detyrojnë Rusinë të tërheqë trupat ushtarake nga vendi fqinj.
“Këto referendume të rreme vijnë në kohën kur Rusia është mposhtur në terren dhe i nevojitet një dash kurbani. Dhe tani për të parën herë ne e dijmë se cili ishte qëllimi i vërtetë i kësaj lufte, që është marrja e një pjese të Ukrainës.”
U bëjmë thirrje anëtarëve të OKB-së, të gjithë atyre për të cilët parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve kanë domethënie, të kundërshtojnë veprimet e Rusisë, të dënojnë referendumet dhe rezultatet e tyre që priteshin, si dhe të mos njohin kurrë përpjekjet për të grabitur tokën ukrainase nëpërmjet dhunës dhe terrorit”, shtoi ambasadori shqiptar.
Top Channel