Administratori dhe menaxherja e një biznesi call center janë vënë në pranga, pasi akuzohen për mashtrim kompjuterik.
Në gjendje të lirë janë proceduar shtatë personat që ishin të punësuar si operatorë në këtë subjekt.
Policia në këtë rast ka parandaluar edhe 2 raste të organizimit të lotarive të palejuara në këtë call center dhe janë proceduar penalisht dy shtetas të tjerë.
Në kërkim janë shpallur tre bashkëpunëtorët e të arrestuarve, të cilët punonin në atë biznes.
Gjatë hetimeve të kryera u konstatua se administratori dhe menaxherja në bashkëpunim me 3 personat e shpallur në kërkim, kishin punësuar disa operatorë, të cilët telefononin shtetas të ndryshëm dhe i mashtronin ata që të kryenin investime në bursa fiktive.
Në operacionin policor të koduar “North Forex 4”, gjatë kontrollit në call center, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të Shkodrës, u sekuestruan 17 pajisje kompjuterike të përshtatura për mashtrim nëpërmjet platformave të ndryshme.
Të arrestuarit janë:
28-vjeçari Jozef Palushani, banues në Vau i Dejës dhe administrator i subjektit
36-vjeçarja Felicia Pop, shtetase rumune, banuese në Shkodër dhe menaxhere e subjektit.
Të shpallur në kërkim:
E. S. 34 vjeç, banues në Shkodër,
D. Sh. shtetas izraelit, banues në Tiranë
L. Gj. 25 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë specialist teknologjie pranë subjektit call center.
Hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, u bë për personat:
E. Sh. 25 vjeçe, K. G. 31 vjeç, O. J. 24 vjeç, E. Rr. 46 vjeç, M. Ç. 36 vjeçe, E. M. 31 vjeçe dhe A. K. 33 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, u bë për personat:
A. U. 25 vjeç dhe S. R., 34 vjeç, të dy banues në Shkodër, njëkohësisht iu sekuestruan 2 aparate celulare që dyshohet se përdoreshin për lotari të palejuara
Mbi të arrestuarit rëndojnë veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” kryer në bashkëpunimin dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel