Rrjedhja e gazit në Nord Stream, nisin hetimet nga autoritetet suedeze

28/09/2022 13:59

Policia kombëtare e Suedisë ka hapur një hetim për rrjedhjet nga tubacionet Nord Stream, çështje që  aktualisht është duke u shqyrtuar nga Prokuroria Publike.

Në bazë të raportit të paraqitur nga Autoriteti Policor Suedez, prokurori do të përcaktojë hapat e ardhshëm.

Sipas CNN në raportin e paraqitur thuhet se është bërë një shkelje, por nuk janë dhënë më shumë detaje.

“Kualifikimi ligjor aktualisht është një sabotim i rëndë, por kjo mund të ndryshojë”, tha policia.

Autoritetet suedeze paralajmëruan të martën për rrjedhje në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, të cilat kalojnë nën Detin Baltik pranë Suedisë dhe Danimarkës.

Ato kanë qenë pika kryesore në luftën energjetike midis Evropës dhe Rusisë, që prej disa kohësh.

Disa liderë evropianë kanë përmendur shqetësimet për shkakun e rrjedhjeve, me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duke iu referuar rrjedhjeve të tubacionit si “veprim sabotues”.

Ndërkohë, kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson tha se incidenti mendohet të jetë i qëllimshëm.

Top Channel