Qeveria nuk ka hequr dorë nga ligji për amnistinë fiskale, pavarësisht kritikave nga opozita dhe nga ndërkombëtarët.
Këtë e konfirmoi kryeministri Edi Rama teksa shpalli sot vendimet e reja të qeverisë, ku u shpreh i palëkundur për të çuar deri në fund ligjin për amnistinë fiskale.
Me arsyetimin se këtë ligj e kërkoi shumica dërrmuese e shqiptarëve, Rama tha se nuk mund ta ndalojë një parti e korruptuar apo një person non-grata (referuar Berishës).
“Ne nuk jemi tërhequr, por ne po vazhdojmë të diskutojmë dhe po vazhdojmë të dëgjojmë për të sheshuar të gjitha moskuptimet, keqkuptimet apo edhe për të ekspozuar edhe mos dëshirën për të mos kuptuar. Amnistia fiskale do të bëhet, e kam thënë dhe e përsëris. Pse do të bëhet? Sepse amnistia fiskale e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve.
E keni parë këtë edhe në Këshillimin Kombëtar, ne Këshillimin Kombëtar nuk e kemi bërë për të bërë një “show” siç u tha, dhe nëse e keni vënë re, të gjitha pikat e Këshillimit Kombëtar ose kanë hyrë në rrugën e zgjidhjes, nënat me tre fëmijë, kryefamiljare iu është dyfishuar ndihma sepse e kemi marrë si mbështetje nga pjesa më e madhe e atyre që morën pjesë në Këshillimin Kombëtar dhe ishin gjysmë milioni njerëz dhe kështu me radhë të gjitha nismat e tjera që të mos i numëroj, të mos humbas kohë dhe që të mos dalim nga pyetja dhe jo vetëm sepse e kërkon Këshillimi Kombëtar, por unë mendoj që nëse politikanëve në Shqipëri u është dhënë e drejta të gabojmë më shumë se një herë , nëse sot ne kemi në Shqipëri deri edhe një parti politike të tërë që ka pretenduar të vijë në qeveri dhe që është financuar me para të një vendi armik të demokracisë dhe të ekspozuar si armik ndaj të gjithë normave në të cilat ne besojmë dhe të ekspozuar si armik dhe si agresion i kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nëse në atë parti sot kemi në krye jo formalisht por defacto një person të shpallur non grata, për të gjitha të zezat nga SHBA dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë dhe të tjera që vazhdojnë të jenë në skenë, vazhdojnë të pretendojnë të marrin vota, vazhdojnë të pretendojnë dinjitet e pastërti e ku e di unë se çfarë, atëherë kush jemi ne?
Me çfarë të drejte që t’i privojmë qindra, mijëra shqiptare nga e drejta elementare për të formalizuar të ardhurat e tyre nga puna, në të zezë, në vendet e huaja, pse? Dhe kush jemi ne që t’i paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të atij 1%, që është pjesë e të gjithë të këqijave që kanë të bëjnë me trafikun, me krimin e organizuar. Ne nuk jemi askushi që t’i privojmë shqiptarët nga e drejta e tyre, ne nuk jemi askushi që t’ua bëjmë ferr jetën emigrantëve që nuk sjellin dot kursimet e tyre këtu se duhet të kalojnë në 1001 filtra, ne nuk jemi askushi që t’ju themi: për shkak se …., ju nuk mundeni”. Jo. Dhe kush janë ata që na thonë ne se Shqipëria s’mund ta bëjë këtë, sepse shqiptarët janë kriminelë? Natyrisht që unë atyre nuk u vë faj sepse këtë ia kemi bërë ne vetes.
Ia kemi bërë ne vetes përmes politikanësh të cilët nuk kanë lënë gjë pa bërë për ta shkatërruar dhe për ta nxirë imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarit, për të luftuar kundërshtarin këtu, por me një kosto të madhe që e paguajnë të gjithë shqiptarët sepse Shqipëria nuk është as vendi i krimit, as vendi i kriminelëve. Shqipëria ka “xhagajdurët” e vet, siç ka çdo vend tjetër, por atë që i bëjnë Shqipërisë vetë shqiptarët, disa shqiptarë, këta shqiptarë, nuk ja ka bërë asnjë armik. Dhe këtu shtoj ata, të cilët marrin përsipër të bëjnë ndërmjetësin apo katalizatorin e të vërtetave apo të gënjeshtrave të opinionit publik që kontribuojnë shumë për mjegull dhe gënjeshtra. Amnistia do bëhet. Ne jemi këmbëngulës, po dhe të duruar që të pastrojmë të gjitha ato cepa nga çdo lloj pluhuri apo iluzioni optik se aty ka pluhur dhe pastaj secili do ketë bindjen e vetë, por një gjë dua ta përsëris: Unë këtu jam i zgjedhur nga shqiptarët, nuk përfaqësoj ndonjë shtet tjetër dhe as nuk jam këtu si shprehje e vullnetit të ndonjë populli tjetër, që të jemi shumë të qartë.”- tha Rama.
Top Channel