Portugalia fal shumë/ Në Final Four të Nations League shkon Spanja

28/09/2022 15:30

Spanja është skuadra që plotëson kuadrin e fazës Final Four të Nations league që do të zhvillohet në muajin qershor të vitit të ardhshëm duke iu bashkuar Holandës, Italisë dhe Kroacisë.

Në Braga, skuadra e Luis Enriques iu imponua Portugalisë teksa e mundi 1-0 në një ndeshje ku luzitanët e falën në shumë raste La Rojan.

Pjesa e parë u mbyll 0-0 ku spikati padyshim portieri Unai Simon, i cili bëri dy ndërhyrje mjaft të mira kundrejt Ruben Neves dhe Bruni Fernandes, duke mbajtur të paprekur portën e tij. Në pjesën e dytë Portugalia tentoi me Cristiano Ronaldon, por pa sukses. Luis Enrique në këtë pikë vendosi të hedhë në fushë Pedrin, Gavin, Yeremi Pino e Nico Williams dhe reagimi ishte i dukshëm me Moratën që iu afrua golit por u ndal nga Diogo Costa. Kur kishin mbetur 3 minuta nga fundi i sfidës, Spanja ndëshkoi rivalët e saj të përjetshëm me Moratën që fiksoi fitoren 1-0 të Spanjës, që në këtë mënyrë e sheh veten mes 4 më të mirave të Nations League.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Zvicra mundi Çekinë 2-1 duke e zbritur në Ligën B të Nations League. Freuler dhe Embolo ishin autorët e golave për skuadrën helvete, në minutat 29 dhe 30, por në në fundin e pjesës së parë Schick shkurtoi diferencën në 2-1. Më minutën e 60-të Çekia kishte shansin e artë të barazonte rezultatin teksa fitoi një 11 metërsh, por Soucek gaboi nga pika e bardhë. Rezultati nuk ndryshoi më deri në fundin e ndeshjes me Zvicrën që e mbylli atë 2-1.

Serbia fitoi ndeshjen direkte me Norvegjinë dhe ngjitet në Ligën A të edicionit të ardhshëm të Nations League. Skuadra ballkanse triumfoi në tokën skandinave me rezultatin 2-0, duke e mbyllur kompeticionin me 13 pikë në vendin e parë të Grupit 4 në Ligën B. Dusan Vlahoviç zhbllokoi rezultatin në minutën e 42 për Serbinë, ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë, Mitroviç, autori i një tregolëshi ndaj Suedisë, vulosi fitoren 2-0 për përfaqësuesen serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA