Maltin alias Anton Gjini është shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohet si autori i vrasjes se Pjetër Kolës, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Qafë Çele të Pukës.

Ai ka qëlluar me arme zjarri ndaj 44 vjeçarit, duke e lënë fillimisht të plagosur dhe pas disa orësh, ka ndërruar jetë në sallën e operimit në spitalin rajonal të Shkodrës.

Prokuroria po heton për pistat e mundshme të kësaj ngjarje por dyshimet janë për një konflikt mes viktimës dhe autorit.

“Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i plagosjes së rëndë me pasojë vdekjen e 44-vjeçarit nga Lezha.

Shërbimet e Policisë dhe grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Pukë, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi P. K., 44 vjeç, nga Lezha, i cili më pas ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, kanë vijuar intensivisht punën për grumbullimin e provave, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit M. GJ. alias A. Gj., 36 vjeç, banues në Lezhë.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaftallë, Pukë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personit të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”- njofton policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA