Kosovë/ Dyshohet se ka kryer shkelje në raportin e vdekjes së Astrit Deharit në paraburgimin e Prizrenit, pezullohet nga puna kryeinspektori

28/09/2022 15:43
Viktima

Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka njoftuar se Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.

Sipas MD-së, dyshohet se ai ka kryer shkelje në rastin e Astrit Deharit, i cili humbi jetën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.

Ndërkohë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka njoftuar se Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit, para se t’i merrte policia dhe i ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë, në kohën kur ministre ishte Dhurata Hoxha.

Gashi shton se Topalli ka hartuar edhe dy raporte të ndryshme lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

“Në njërin raport që ka hartuar më 14 nëntor 2016 e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Po të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendos nënshkrimin e tij në këtë raport”, shkruan Gashi.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur po ashtu që raportin e ka dorëzuar në Prokurori, derisa Tomë Gashi bën thirrje për ndjekje penale ndaj Ylber Topallit.

Astrit Dehari është gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të 2016-ës.

Së pari nga organet u konstatua se kishte bërë vetëvrasje, derisa më vonë pati ndryshim të konstatimit si vrasje pas një sërë autopsish të kryera edhe jashtë Kosovës.

Top Channel