Duke ju treguar të pranishmëve në një konference për shtyp në Athinë, sistemin e kamerave të sigurisë në gjithë kampet e pritjes së refugjatëve në Greqi, ministri grek i Emigracionit dhe Azilit ka deklaruar se Greqia i ka kërkuar BE të heqë kufizimet e lëvizjes në zonën Schengen për ata refugjatë që u është njohur e drejta dhe kanë marrë leje të përkohshme qëndrimi individuale nga shtetet anëtare.
Ai ka akuzuar bllokun europian për zbatimin e një standardi të dyfishtë dhe mungesë solidariteti në rregullat gjithëpërfshirëse të emigracionit në BE kur bëhet fjalë për ukrainasit që ikin nga lufta në krahasim me refugjatët e tjerë që vijnë nga zonat e konflikteve të tjera të armatosura.
“Vendet e BE-së në një moment vendosën që vendet nga hynin refugjatët – nuk duhet ta përdor këtë term sepse po flasim për njerëz – do të përdoreshin si një parking për ata që duan të vijnë në Europë. Ky është një fakt që nuk është i drejtë dhe Greqia e kundërshton. Mendojmë se Europa duhet të tregojë më shumë solidaritet për çështjen e refugjatëve dhe marrëveshja e Ukrainës sa i përket lëvizjes së lirë duhet të zbatohet për të gjithë refugjatët e njohur zyrtarisht.
Mitarakis ka thënë gjithashtu se Greqia do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen e vitit 2016 që i lejon asaj të kthejë pas shumicën e emigrantëve që hyjnë ilegalisht nga Turqia .
Është e qartë se për ata që vijnë nga Siria, Afganistani, Somalia, Pakistani dhe Bangladeshi, Turqia është një vend i sigurt. Kushdo që vazhdon të përpiqet dhe të vijë në vendin tonë fatkeqësisht do të përballet me një qorrsokak legjislativ. Është plotësisht e qartë, e kemi thënë këtë, e kemi paralajmëruar. Për fat të keq, kontrabandistët qënieve njerëzore ende po «shesin bileta» njerëzve nga këto vende.
Greqia që ka ashpërsuar politikën e saj kundër emigracionit të paligjshëm dhe ka ndërtuar një gardh përgjatë kufirit të saj me Turqinë, duke pasur edhe mbështetjen e Italisë e Maltës, kërkon ndryshime në kuadrin e një pakti të ri për emigracionin që do të arrihet në vitin e ardhshëm nga vendet e BE sa i përket rregullave për shpërndarjen e refugjatëve në vendet anëtare dhe mbrojtjen e kufijve të përbashkët europianë.
Ndërkohë për të përballuar mungesën e krahëve të punës në bujqësi, pasi shumica e e emigrantëve ,kryesisht shqiptarë që vinin për punë sezonale , preferojnë vendet e Europës qëndrore, autoritetet greke do të nënshkruajnë marrëveshje për 4000 krahë pune nga Bangladeshi, persona të cilët do të rikthehen sapo të mbarojë afati i kontratës.
Top Channel