Demokratët paraqesin projektbuxhetin për financimin e përkohshëm të qeverisë dhe ndihmat për Ukrainën

28/09/2022 08:37

Ligjvënësit demokratë kanë paraqitur një projektligj buxhetor për të financuar qeverinë federale deri më 16 dhjetor, për të ofruar mbështetje shtesë për Ukrainën, si dhe për të ndihmuar komunitetet që të marrin masa në përgjigje ndaj fatkeqësive të fundit natyrore.

Të dyja dhomat e Kongresit duhet ta miratojnë legjislacionin deri të premten, që është fundi i vitit fiskal, për të parandaluar një mbyllje të pjesshme të qeverisë. Kjo përfaqëson segmentin e fundit të punës së papërfunduar për ligjvënësit përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor. Të dyja palët janë të etura për të përmbyllur punën dhe për t’i kushtuar më shumë kohë fushatës elektorale, duke ulur kështu rrezikun e një ndaljeje të punës së qeverisë federale.

Votimi i parë që testoi shanset e projektligjit buxhetor u bë të martën në mbrëmje në Senat, ku u votua 72 me 23 në favor të vazhdimit me shqyrtimin e mëtejshëm të këtij propozimi.

Projektligji ofron rreth 12.3 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, përfshirë trajnimin, pajisjet, armatime dhe mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për qeverinë e Ukrainës. Ndihma do t’i shtohet rreth 53 miliardë dollarëve që Kongresi ka miratuar tashmë përmes dy projektligjeve të mëparshme.

Propozimi nuk përfshin kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për shpenzimin e 22 miliardë dollarëve për t’iu përgjigjur COVID-19 dhe 3.9 miliardë dollarëve për të luftuar kundër një epidemie të virusit të lisë së majmunit. Ligjvënësit republikanë dolën masivisht kundër financimit të këtyre masave për shëndetësinë.

Ndihma për fatkeqësitë natyrore në projekt-ligj përfshin 2.5 miliardë dollarë për të ndihmuar komunitetet e Nju Meksikos të rimëkëmben nga zjarri më i madh në historinë e këtij shteti; 2 miliardë dollarë për një fond që ndihmon rimëkëmbjen ekonomike të komuniteteve të prekura nga fatkeqësitë e fundit natyrore dhe 20 milionë dollarë për përmirësimet e infrastrukturës së ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza të autorizuara më parë për qytetin Jackson, Misisipi.

Projektligji do të sigurojë gjithashtu një miliard dollarë shtesë për një program që ndihmon familjet me të ardhura të ulëta të përballojnë ngrohjen e shtëpive të tyre.

Ka patur një mbështetje të gjerë dypartiake për rritjen e ndihmës për Ukrainën. Projektligji përfshin 4.5 miliardë dollarë për të ndihmuar qeverinë e Ukrainës që të ofrojë shërbime bazë për qytetarët dhe autorizon presidentin të tërheqë 3.7 miliardë dollarë pajisje nga rezervat e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës. Përmban gjithashtu fonde për të zëvendësuar rezervat e pajisjeve dhe municioneve amerikane të dërguara në Ukrainë dhe për t’i ofruar Ukrainës mbështetje dhe trajnime në fushën e zbulimit.

“Me Rusinë që po zhvillon zgjedhje të rreme për të aneksuar pjesë të Ukrainës, populli ukrainas ka nevojë urgjente për mbështetjen tonë për të vazhduar mbrojtjen e familjeve të tyre dhe mbrojtjen e demokracisë globale”, tha Ligjvënësja Rosa DeLauro, kryetarja demokrate e Komisionit për Buxhetin të Dhomës së Përfaqësuesve./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA