Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkon një seancë dëgjimore në Kuvend me Entin Rregullator të Energjisë, që thotë se ka detyrimin të shpjegojë dhe arsyetojë vendosjen e fashës së energjisë, ku për çdo kilovat mbi 800 kWh, energjia do të kushtojë 4.4. herë më shumë.

Në një deklaratë për mediet, Meta shprehet se ERE është institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ka detyrimin ligjor, shton ai, “të shpjegojë publikisht arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjetik që kanë çuar në miratimin pa asnjë ndryshim të vendimit të qeverisë për rritjen e energjisë”.

Pasojat e vendosjes së fashës së energjisë, do të jenë të rënda për familjarët dhe bizneset, thotë kryetari i partisë.

Nga 1 tetori, familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat/orë energji në muaj do të paguajnë një çmim 4 herë më të lartë. Enti Rregullator miratoi fashën e re të energjisë, pas propozimit nga Korporata Elektroenergjetike shqiptare.

Familjet shqiptare sot e paguajnë energjinë me çmimin 9.5 lekë kilovatin për orë, ndërsa shtuar edhe TVSH-në, çmimi final shkon në 11 lekë kilovat për orë. Në këto kushte një familje që harxhon 800 kilovat/orë në muaj paguan 9 220 lekë. Nëse e kaloni këtë shumë, çmimi do të llogaritet me 42.85 lekë.

Lexo edhe: Rritja e çmimit të energjisë, nga familjarët do të mblidhen 15.5 milionë euro

Top Channel