Rritja e çmimit të energjisë, nga familjarët do të mblidhen 15.5 milionë euro

23/09/2022 19:39

Nga 1 tetori, familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat/orë energji në muaj do të paguajnë një çmim 4 herë më të lartë.

Enti Rregullator miratoi fashën e re të energjisë, pas propozimit nga Korporata Elektroenergjetike shqiptare.

Familjet shqiptare sot e paguajnë energjinë me çmimin 9.5 lekë kilovatin për orë, ndërsa shtuar edhe TVSH-në, çmimi final shkon në 11 lekë kilovat për orë. Në këto kushte një familje që harxhon 800 kilovat/orë në muaj paguan  9 220 lekë. Nëse e kaloni këtë shumë, çmimi do të llogaritet me 42.85 lekë.

Me këtë rritje çmimi mbi fashën, OSHEE synon që të mbledhë 1.8 miliardë lekë apo 15.5 milion euro, të cilat do të përdoren për blerjen e energjisë në import gjatë tre muajve të mbetura.

Deri më tani KESH ka harxhuar rreth 350 milionë euro për importin, një faturë e cila po mbaron me shpejtësi edhe fondet buxhetore. Në blerjen e saj të fundit çmimi mesatar i energjisë arriti në 435 euro mw/h.

Nga vendimi gjatë muajit tetor janë 49 334 familje që preken nga rritja e çmimit të energjisë gati 4% e abonentëve familjarë. Ndërkohë, në nëntor dhe dhjetor, numri i abonentëve të prekur pëson një rritje të ndjeshme në 71 278 ose gati 8% e numrit total të abonentëve.

Ndërkohë, vlen për tu theksuar se bizneset e vogla të lidhura në tension të ulët nuk do të preken nga këto fasha. Ata do vazhdojnë që çmimin e energjisë elektrike ta paguajnë 14 lekë kilovatin për orë.

Ministria e Energjisë ka thënë se fashat do të jenë në fuqi deri në dhjetor të këtij viti, ndërsa më pas do të bëhet një rishikim i skemës. Shqipëria e ka pasur një regjim fasha përpara vitit 2015, të cilat më pas u hoqën për shkak se u konstatua nga Enti Rregullator se sollën mbifaturime dhe abuzime.

40-70 mijë familje pritet të kenë një dimër më të kushtueshëm këtë vit sesa të tjerët. Të pasurit, ashtu siç i cilëson kryeministri Edi Rama, do të ndajnë barrën e krizës energjetike me qeverinë. Ndërsa familjet e shtresës së mesme dhe të varfër duhet të kursejnë këtë dimër ose përndryshe mbi 800 kilovat i pret një gjobë e majme.

 

 

Top Channel