Në vendin tonë nisi që në muajin shkurt të këtij viti një projekt 3- vjeçar i financuar nga Bashkimi Europian për arsimin gjithëpërfshirës, që ka për qëllim përmirësimin e cilësisë dhe akses për të gjithë në arsimin parauniversitar në vendin tonë.
Ky projekt do të përfshijë edhe dy shkollat speciale për fëmijët që nuk dëgjojnë dhe ata që nuk shikojnë.
“Ne po investojmë rreth 2.3 milionë euro për këtë projekt që është i dyti më i madh në Shqipëri për arsimin, pas programit ‘BE-ja për shkollat’. Ky projekt është shembulli i përkryer i asaj që tregon se Bashkimi Europian është këtu. Ne jemi në këtë vend, ne jemi këtu me ju gjate gjithë kohës përmes projekteve, por edhe çdo aktiviteti tjetër që ne po zhvillojmë“, thotë Chriastiane Hohmann, Ambasadore e BE-së në Shqipëri.
Nga ky projekt pritet të përfitojnë mbi 135 mijë fëmijë në Shqipëri, duke përfshirë edhe 130 nxënës që ndjekin dy shkollat speciale për fëmijët që nuk dëgjojnë dhe ata që nuk shikojnë.
“Risia më e bukur e këtij viti shkollor është hapja për herë të parë të shkollës së mesme, për nxënësit që nuk dëgjojnë. Më në fund këta nxënës kur mbarojnë klasën e 9-të nuk do të rrinë më në shtëpi, por do të vazhdojnë shkollën dhe do të kenë mundësi të marrin një profesion që nesër të jenë të jenë të aftë për veten e tyre dhe të jenë të pavarur, pse jo që të japin edhe kontribut për shoqërinë, sepse kjo shkollë e mesme do të jetë e orientuar për Teknologji dhe TIK (Teknologji Informacioni dhe Komunikim)”, shprehet ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shoqërinë” dhe Universiteti I Shkencave të Aplikuara I Tampere-s në Finlandë do të jenë ndër zbatuesit e projektit.
“Përveç dedikimit tonë në përmirësimin e hapësirave publike dhe kapacitetit njerëzor në Shqipëri, ky projekt në mënyrë shumë organike bën së bashku dy nga shtyllat kryesore të veprimtarisë së fondacionit, Arsimin dhe Gjithëpërfshirjen”, thotë drejtori i OSF për Ballkanin Perëndimor.
320 mësues do të trajnohen fillimisht dhe më pas ata do të trajnojnë gjithsej 15 mijë mësues të tjerë në gjithë Shqipërinë lidhur me kurrikulën e re të bazuar në kompetencat dhe metodat e mësimdhënies gjithëpërfshirëse.
Top Channel