Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook ka shprehur së fundmi se nuk ka ende mjaftueshëm gra në sektorin e teknologjisë në botë duke përfshirë edhe të tijën.
Në një intervistë me BBC, Cook tha se teknologjia nuk do të arrijë atë që mund të arrijë pa një fuqi punëtore më të larmishme. Ai tha se nuk ka justifikime për mungesën e grave në këtë sektor.
Cook tha gjithashtu se mendonte se Realiteti i Shtuar (AR) dhe koncepti i Metaverse ishin “të thellë”.
“Në të ardhmen njerëzit do të pyesin veten se si kemi jetuar pa AR. Ne po investojmë në atë hapësirë”.
Realiteti i shtuar është një përzierje e përmbajtjes digjitale dhe botës reale. Metaverse është koncepti i botëve të tëra virtuale dhe gjiganti i teknologjisë po investon shumë në të. Një kompani e panjohur, e quajtur ‘Realityo Systems’ dhe e lidhur me Apple, ka regjistruar markën “RealityOs” në Zyrën e Patentave të SHBA. Emri ka qenë prej kohësh i lidhur me sistemin e parë operativ të gjigantit amerikan për këtë realitet të ri online.
Sipas faqes së internetit ‘The Verge’, marka tregtare është regjistruar më 8 dhjetor 2021 për kategori të tilla si “periferike”, “softuer” dhe mbi të gjitha, “hardware kompjuterik i veshur”. Rikujtojmë, se së fundmi kompania Apple tha se një e metë e tyre po lejon hakerët që të marrin kontrollin e iPhone-ve, iPad-ëve dhe kompjuterëve Mac, duke u bërë thirrje përdoruesve që të instalojnë një përditësim emergjent të software-it.
Ky përditësim u lançua në mesin e javës nga gjiganti i teknologjisë, me qëllim që të rregullohej një dobësi që hakerët po e shfrytëzonin. E meta e gjetur nënkuptonte se hakerët kishin mundësi të merrnin kontrollin e pajisjeve, duke pasur qasje në çdo të dhënë apo aftësi të pajisjeve./ Top Albania Radio
Top Channel