Problemet nga moti i keq/ Rrëshqitje dheu në disa akse, shtëpi e shkolla të dëmtuara

27/09/2022 15:23

Reshjet e dendura që vazhduan gjatë natës po shkaktojnë probleme në akse rrugore dhe në prurjet e lumenjve në veri dhe jug të vendit.

Në Shkodër ka rënie gurësh në aksin rrugor Prekal-Breglumi. Në rrugën e Dukagjinit ka patur rrëshqitje dheu e gurësh. Në Theth, një natë më parë pati prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda. Nga bashkia Vau Dejës  njoftohet se ka bllokim te disa rrugëve nga prurjet e lumit Gjadër. Energjia elektrike është ndërprerë në Vaun e Dejes, Hajmel Shkrel, Kastrat dhe Kelmend.

Në Fushe Arrëz, si pasoje e reshjeve të shiut është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë dhe rrugët rurale në njësitë administrative Iballe dhe Fierzë. Rrëshqitje dheu ka patur edhe në Pukë, Ura e Rras Kuzhnenenit është dëmtuar plotësisht ndërsa ka rrëshqitje të trupit të digës së rezervuarit.

Reshjet e dendura të shiut në qarkun e Lezhës kanë sjellë probleme në disa fshatra me mos furnizim të energjisë elektrike. Ndërsa në bashkinë Mirditë, probleme më të mëdha ka fshati Bukmirë ku ka patur rrëshqitje të gurëve duke bllokuar qarkullimin e automjteve. Banorët shprehen se e kanë patur të pa mundur t’i dërgojnë fëmijët në shkollë dhe thonë se kjo situatë përsëritet shpesh sa ka reshje të dendura shiu.

Reshje të dendura kanë përfshirë edhe jugun e vendit. Vetëm gjatë natës, sasia e reshjeve në Gjirokastër ishte rreth 6 mm ndërsa moti vijon të jetë me reshje edhe aktualisht.

Akset kombëtare megjithatë janë të lira dhe sasia e ujërave në lumenjtë Drin e Vjosa është ende jo problematike edhe për shkak të thatësirës së gjatë të verës.

Disa probleme me prurjet e përrenjve po vihen re në akset dytësore drejt Lunxhërisë, Zagorisë, Cepos dhe Dropullit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA