Opera “Cavalleria Rusticana”/ Do vihet në skenë në teatrin e operës

27/09/2022 20:02

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit prezanton produksionin e ri të “Cavalleria Rusticana” – opera me një akt e kompozuar nga Pietro Mascagni. Një opera rrëmbyese në çdo dinamikë, një historie dashurie, tradhëtie e hakmarrjeje. 

Kjo opera rikthen si regjisor Mjeshtrin e Madh Nikolin Gurakuqin.

E përshtatur nga një tregim i shkurtër i vitit 1880 me të njëjtin emër dhe drama pasuese nga Giovanni Verga. Kjo vepër konsiderohet si një nga operat klasike të verizmit. Ajo u shfaq premierë më 17 maj 1890 në Teatro Costanzi në Romë.

Solistja Concetta Pepere tregon pritshmëritë e saj.

“Është një përgjegjësi e madhe dhe e bukur të prezantosh një vepër që nuk është sjellë në skenë prej 50 vitesh. Ky teatër ka mundësi të mëdha dhe prezantimi i një vepre të tillë është ajo për të cilën ka nevojë sot bota. Sepse muzika do të shpëtojë botën.”- tha Concetta Pepere.

Kjo vepër e ka pasur premierën e parë në vitin 1958. Është vënë sërish në vitin 1988 nga regjisori Pirro Mani dhe kjo është premiera e tretë.

Premiera do të vihet më 30 shtator, 1 dhe 2 tetor. Nën interpretimin e Shpresa Beka, Denis Skura, Armaldo Kllogjeri, Armando Likaj, Ylber Gjini, Solen Alla, Ina Gaqi dhe Dorina Selimaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA