Ndalohet projekti “Ruanda”/ Organizata pro emigrantëve arrin të pengojë ligjërisht projektin e qeverisë angleze

27/09/2022 22:42

Planet për t’i dërguar me shpejtësi në Tiranë të gjithë emigrantët e ardhur me gomone gjatë kësaj vere pas marrëveshjes me qeverinë shqiptare, duket se janë vështirësuar së tepërmi, njofton media britanike.

Juristët e qeverisë britanike e njoftuan këtë ndryshim në përgjigje të një rekursi ligjor nga organizata pro-emigrantëve Care4Calais, e cila ka apeluar edhe planet e qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda. Sipas juristëve të qeverisë britanike planet për dërgimin në Shqipëri nuk aplikohen për ata që kanë kërkuar azil.

Në përgjigje të kësaj tërheqjeje, përfaqësues të kësaj organizate pro-emigrantëve thanë se  “qeveria tashmë e pranon se shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë azil dhe kërkesat e tyre duhen shqyrtuar ndershmërisht”.

Por burime nga Home Office, Ministria e Brendshme dhe e Emigracionit në Londër  thanë për Daily Mail se “shumica e shqiptarëve që mbërrijnë në Britani nuk kërkojnë azil dhe ata nuk duan  që të përballen me mundësinë e dërgimit të tyre drejt Ruandës. Shumica përdorin taktika të ndryshme për të frustruar procesin e largimit nga Britania”.

Skema e shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar  ende do aplikohet për ata që kalojnë La Manshin dhe që bëjnë kërkesa të pabazuara se janë viktima të skllavërisë moderne. Ndërkohë për shkak të rekurseve ligjore për marrëveshjen e  debatuar të Ruandës, kjo marrëveshje pritet të shtyhet edhe për një vit.

Ndërkohë The Guardian shkruante një ditë më parë  se më shumë se 30 mijë  vetë që kërkuan strehim në Britani kanë shkuar në ishull me gomone, duke cituar shifrat zyrtare, ku po ashtu është thënë se afro 60 për qind e atyre që kanë kaluar ngushticën janë shqiptarë, të cilët ende vazhdojnë të shkojnë në Britani ne numra më të vegjël edhe pse moti nuk është i njëjtë, si gjatë muajve të verës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA