Ministria maqedonase e Bujqësisë e Maqedonisë e pranoi se në 12 shtator është sulmuar nga grupi i hakerave BlackByte, i njohur më parë për sulmin ndaj infrastrukturës dhe disa agjencive kryesore amerikane.

Pohimi i saj erdhi pasi kreu i komitetit të bujqësisë në partinë kryesore opozitare VMRO DPMNE, Cvetan Tripunoski, e akuzoi dy ditë më parë këtë institucion se kishte tentuar ta kalonte në heshtje sulmin me virusin ransomware.

Pas kësaj, ministria u detyrua të pohonte se disa dokumente ishin komprometuar vërtet gjatë goditjes kibernetike e cila kishte bllokuar përkohësisht punën e saj, por mohoi nga ana tjetër të ketë humbur ndonjë dokument dhe të dhëna të rëndësishme gjatë këtij procesi.

“Ka pasur një dëmtim ose dekriptim të dhënash nga dokumente të zyrës në Word, Excel dhe PDF, megjithatë aplikacionet e ministrisë … nuk u dëmtuan nga sulmi, por u mbyllën si masë parandaluese dhe tani janë sërish aktive”, pohoi ministria në një prononcim për BIRN. Ajo nuk tregoi se çfarë lloj të dhënash përmbanin dokumentet në fjalë, ndërsa shtoi se dhe “arkivi i ministrisë tanimë, është gjithashtu funksional e nuk ka asnjë dokument të humbur”.

Tripunoski pretendon se burime brenda ministrisë i kanë rrëfyer se në fakt një një pjesë e madhe e dokumenteve nga arkivi i ministrisë janë zhdukur, përfshirë këtu regjistrin e fermave apo të dhëna mbi kompanitë dhe prodhuesit organikë.

Zyrtari i opozitës shtoi se mungonte edhe regjistri i kontratave aktive për dhënien me qira të tokave bujqësore, lista e debitorëve të ministrisë dhe dokumentacioni për të gjitha mosmarrëveshjet administrative në të cilat kjo ministri është përfshirë. Sipas një hulumtimi të bërë nga kompania e sigurisë kibernetike Trend Micro, grupi BlackByte ka bërë emër që nga viti 2021 duke sulmuar “infrastrukturën kritike me qëllimin të ketë një shans më të lartë për të marrë një pagesë”. Ministria e Maqedonisë së Veriut nuk sqaroi nëse grupi ka kërkuar para apo nëse ajo i është përgjigjur kërkesave të tilla.

Top Channel