“Është një vrimë vërtetë e madhe”, rritet frika pas konstatimit të rrjedhjeve të gazit në tubacionet Nord Stream 

27/09/2022 17:28

Frika për një dëmtim të qëllimshëm po rritet gjithnjë e më shumë pasi rrjedhje misterioze të gazit u konstatuan gjatë natës në tubacionet Nord Stream që administrohen nga Rusia.

Autoritetet daneze dhe suedeze kanë bërë paralajmërime kundër lundrimit në këtë zonë detare pasi u zbuluan dy rrjedhje në gazsjellësin Nord Stream 1, të cilin Kremlini e mbylli në fillim të këtij muaji për një periudhë të pacaktuar kohe në shenjë hakmarrjeje për sanksionet perëndimore.

“Kjo është një vrimë vërtet e madhe”, tha Agjencia Daneze e Energjisë.

Paralajmërimet erdhën menjëherë pasi u zbulua një rrjedhje e veçantë gazi në një tubacion të dytë, Nord Stream 2, një projekt shumë i diskutueshëm që ishte ngrirë nga qeveria gjermane disa ditë përpara pushtimit rus të Ukrainës dhe nuk u bë kurrë funksional.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha se dëmtimi i qëllimshëm  nuk mund të përjashtohej si shpjegim për ngjarjet.

“Ka tre rrjedhje, dhe për këtë arsye është e vështirë të imagjinohet se kjo gjë mund të jetë aksidentale”, tha ajo

Ndërkohë transmetuesi kombëtar suedez tha se sizmologët kanë regjistruar shpërthime pranë tubacioneve Nord Stream në 36 orët e fundit.

Çmimet evropiane të gazit u rritën pas lajmeve për rrjedhjet. Ndërkohë që Polonia po udhëheq përpjekjet për të frenuar varësinë nga Rusia, dikur furnizuesi kryesor i energjisë i Evropës, me inaugurimin e një tubacioni të ri gazi.

Tubacioni Baltik do të jetë një lidhje e re për gazin norvegjez në Evropë, i cili do të lejojë vendet në jug të Polonisë, duke përfshirë Sllovakinë dhe Republikën Çeke, të kenë akses në të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA