Me rritjen e kostos së jetesës, Dubai ka nisur shpërndarjen e bukës falas për të varfrit. Emirati i pasur i Gjirit, i njohur dhe si vendi i i rrokaqiejve që ngrihen mbi shkretëtirë, e importon pothuajse të gjithë ushqimin e tij.

Ndaj ishte i pashmangshëm ndikimi i rritjes së shpejtë e çmimeve të konsumit, një prirje globale kjo e përkeqësuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Tani, në supermarketet e tij janë vendosur makineta që lejojnë personat në nevojë të marrin bukë pa para. Duke shtypur ekranin e pajisjes, njerëzit kanë mundësi të zgjedhin dhe llojin e bukës që preferojnë.

Mohamed Faraidooni, drejtor ekzekutiv i Aswaaq Properties: Kjo makineri përmban afërsisht  68 kuti, secila prej tyre me nga 4 bukë- bukët janë të llojeve të ndryshme: franxholle, bukë arabe dhe bukë Chapati. Kutitë mbushen dy deri në tre herë në ditë, sipas kërkesës.

Zeinab Joumaa al-Tamimi, drejtoreshë e Rashid Center:  Ideja është tii vihet në ndihmë familjeve në nevojë dhe punëtorëve, përpara se ata të jenë të detyruar të kërkojnë ndihmë tek ne. Plani është që përmes  10 makinave inteligjente, t’i ofrohet bukë e freskët në pjesë të ndryshme të Dubait, dhe për këtë, njerëzve nuk u duhet të bëjnë asgjë tjetër përveçse të prekin makinetën.

Emiratet e Bashkuara Arabe të pasura me naftë kanë një popullsi prej gati 10 milionë banorësh, 90 për qind e të cilëve janë të huaj, shumica punëtorë nga Azia dhe Afrika, dhe Dubai, zemra tregtare e vendit, mbështetet pikërisht tek kjo ushtri punëtorësh për të ndërtuar rrokaqiej dhe për sektorin e shërbimeve, pasurive të paluajtshme e turizmit luksoz, mbi të cilin ka ndërtuar reputacionin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA