Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka pritur sot në takim ministrin për Administratën Publike në qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukajn, i cili përfaqëson partinë “Alternativa Shqiptare”.
Në fjalën e tij, Balla vlerësoi rolin që kjo parti shqiptare luan në Kuvendin e Malit të Zi teksa tha grupi i PS do të bashkëpunojë në dobi të përfaqësimit të shqiptarëve të Malit të Zi.
Balla tha se bashkë me Shqipërinë, dy vendet kontribuojnë për paqen e stabilitetin në rajon në kuadër të forcimit të nismave rajonale për një integrim më të shpejtë në BE.
“Shqiptarët janë faktorë paqeje dhe stabiliteti në të gjithë rajonin, ashtu si roli i shqiptarëve edhe në pjesë të tjera si shqiptarët në Preshevë të cilët janë të përfaqësuar në Parlamentin e Serbisë”- tha ndër të tjera Balla.
Fjala e plotë e Taulant Ballës: Kemi kënaqësinë të mirëpresim në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me kolegë të tjerë deputet, Ministrin për Administratën Publike në qeverinë e Malit të Zi, mikun tonë Marash Dukaj i cili përfaqëson qeverinë e Malit të Zi, partinë `Alternativa Shqiptare` dhe që gjej rastin t`i përgëzoj për rritjen e vazhdueshme të përfaqësimit të shqiptarëve në Malin e Zi tani edhe me një portofol ministror, pas një portofoli të rëndësishëm sikurse është ajo e drejtimit të bashkisë së Durrësit, por që në fakt `Alternativa Shqiptare` përfaqësohet edhe në mjaft bashki të tjera ku natyrshëm kryeqyteti Podgoricë, ku unë shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme vendore të rinkorfimohet madje me rezultat më të mirë përfaqsimi i Alternativës. Po ashtu është forcë vendimtare në Plavë e Guci, dhe po ashtu shpresoj të jemi edhe në Tivar në zgjedhjet e tetorit.
Vlerësojmë rolin shumë të rëndësishëm që `Alternativa Shqiptare` luan në Kuvendin e Malit të Zi e po ashtu edhe si pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga Kryeministri Dritan Abazoviç të cilin po ashtu gjej rastin ta vlerësoj për orientimin e spikatur të Malit të Zi në drejtim të miratimit dhe zbatimit të reformave në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Malit të Zi dhe natyrshëm bashkë me Shqipërinë si dy vende anëtare të NATO-s.
Shqipëria dhe Mali i Zi luajnë një rol të rëndësishëm për paqen e stabilitetin në rajon dhe në kuadër të forcimit të nismave rajonale për një integrim më të shpejtë mes njëri-tjetrit në kuadër të Bashkimit Europian.
Dhe njëherë gjej rastin ta përgëzoj Marashin për punën e shkëlqyer, sepse për ata që nuk e dinë është hera e parë që shqiptarët në Mal të Zi jo vetëm që kanë marë një ministri, por është një prej ministrive më të rëndësishme dhe që si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë mbështesim plotësisht integrimin e shqiptarëve në administratën publike në nivelin që i takon shqiptarëve si një përqindje e rëndësishme në kuadër të popullsisë të Malit të Zi.
Unë do doja të nënvizoja atë që tha Marashi e që ka të bëjë me urën mbi Bunë, në fakt është një angazhim i të dy kryeministrave, Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Abazoviç, dhe më pas në nivel të ministrave të transporteve Znj.Balluku dhe Z.Ibrahomoviç, të cilët po çojnë përpara realizimin e një ëndrre do ta quaja unë shumë të vjetër që ka të bëjë me një lidhje të drejtpërdrejtë mes Ulqinit dhe Shkodrës, përmes Velipojës që është një bashkim për herë të parë i të gjitha brigjeve që lag Adriatiku, të cilat janë brigje shqiptare. Kështu që në këtë këndvështrim realizimi i sa më shpejtë i këtij projekti infrastrukturor të rëndësishëm gjen mbështetje edhe të Kuvendit të Shqipërisë dhe besoj që në ditët apo javët në vijim ne do të shohim sadopak konkretizimin e procedurave për fillimin e ndërtimit të këtij projekti dhe më pas dhe ajo gjëja simbolike e pikës doganore që do të lidhë të dyja pjesët përmes urës së re mbi Bunë. Ajo që dua të ripërsëris është që ne si Grup Parlamentar i Partisë Socialiste do të vijojmë të intensifikojmë marrëdhëniet me të gjitha partitë shqiptare në të gjithë rajonin e Ballkanit, natyrshëm ne kemi raporte shumë të mira me `Alternativën Shqiptare`, sikurse Marashi e tha t’i forcojmë këto kontakte në dobi të përfaqësimit të shqiptarëve të Malit të Zi. Ajo që kemi arritur gjatë vitit të fundit ku që nga viti 2006 asnjëherë nuk kishin parë një përfaqësim të tillë që nga pavarësia e Malit të Zi, tregon që jemi në rrugën e duhur sepse e vërteta është që shqiptarët janë faktorë paqeje dhe stabiliteti në të gjithë rajonin, ashtu si roli i shqiptarëve edhe në pjesë të tjera si shqiptarët në Preshevë të cilët janë të përfaqësuar në Parlamentin e Serbisë. Kjo tregon një rritje dhe ajo që për mua është njëlloj krenarie është që ne sot kemi kontaktet më të mira, dhe këto kontakte janë në dobi të mirëpërfaqësimit të shqiptarëve.
Top Channel