Zjarri në magazinën me rroba në zonën Qytet Studenti, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës: Nuk janë zbatuar rregullat e sigurisë

25/09/2022 21:51

Zjarri i madh përfshiu një magazinë me tekstile këtë të dielë në zonën Qytet Studenti, duke shkaktuar dëme materiale.

Në lidhje me këtë situatë kanë reaguar drejtori i Shërbimit Zjarrfikës dhe një polic, të cilët kanë shpjeguar të gjithë situatën.

Polici deklaroi se gjithçka ka nisur pas një njoftimi në sallën operative për një zjarr dhe më pas është bërë e mundur evakuimi i të gjithë banorëve të pallatit.

Pasi janë nxjerrë nga ndërtesa të gjithë banorët ka vijuar puna për shuarjen e flakëve, ndërsa vijon puna për identifikimin e shkakut të zjarrit.

“Rreth orës 17:15 është njoftuar salla se një depo pranë pallatit ka marrë flakë. Në fillim ka qenë një zjarrfikëse pranë zonës  Qytet Studenti dhe shërbimi policisë që ka nxjerrë banorët e asaj ndërtese. Pasi janë marrë masat e sigurisë për jetën e qytetarëve, menjëherë brenda 10 minutash ka filluar ndërhyrja, punë cila vijon. Për momentin nuk kemi të dhëna  për zjarrvënëse të qëllimshme, ndërsa vijon puna për zbulimin shkakut të zjarrit”, u shpreh polici.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës raportoi me më detaje punën për shuarjen e zjarrit, e cila vijon pre më shumë se tre orësh.

Sipas tij shkalla e dëmtimit të ndërtesës nuk mund të verifikohet për momentin, pasi flakët vijojnë të jen aktive.

“Për shkallën e dëmtimit të objektit nuk flasim dot për momentin, pasi zjarri vijon të jetë aktiv. Por ajo që dua të them është që zjarret në bodrume janë shumë të vështira sidomos kur ka rroba dhe materiale të tilla. Janë në formën e plastikës dhe shumë të djegshme. Kryesoja është që qytetarët janë evakuuar. Zjarrfikësit kanë tre orë që po punojnë dhe mund të vazhdojnë”, u shpreh Laçi.

Në lidhje me situatën e krijuar ai u shpreh se pronari i magazinës nuk ka respektuar rregullat e sigurisë, pasi materialet që ndodheshin brenda godinës nuk lejohen të mbahen.

“Po mundohemi që të sigurojmë edhe pronën qytetarit, i cili nuk ka vepruar shumë mirë. Pronari nuk ka zbatuar rregullat e sigurisë, pasi këto lloj materiale nuk mbahen në magazina. Shumë shumë aty mund të parkohen automjete. Është e vështirë pasi aty është objekt banimi. Kemi bërë uljen e intensitetit të zjarrit”,  shtoi më tej drejtori i Shërbimit Zjarrfikës.

Top Channel