Për të kursyer karburant apo për të shmangur trafikun shumë qytetarë kanë zgjedhur të lëvizin me monopatina elektronike por kjo ka nxjerrë në pah shumë rreziqe.

Shumica e përdoruesve të monopatinave janë të mitur apo persona që nuk kanë leje drejtimi që do të thotë se nuk e njohin kodin rrugor dhe sinjalistikën çka i ekspozon ata drejt aksidenteve.

Pamjet e një aksidenti në Tiranë tregojnë, se shkak ishte shkelja e rregullave nga drejtuesi i mjetit elektrik.

Raste të tilla janë kthyer në një problem për policinë rrugore të Tiranës.

“Drejtuesit e monopatinave nuk respektojnë sinjalistikat. Dalin nga korsitë, shkelin semaforin. Janë burim aksidentesh”, tha Meridian Hasa, inspektor i qarkullimit rrugor.

Kodi Rrugor nuk e parashikon ndëshkimin e shkeljeve që vijnë nga këto mjete elektrike, e për pasojë për policinë rrugore nuk ka bazë ligjore për të vendosur masa administrative apo penale dhe mjaftohet vetëm me këshillime.

“Të sillen në rrugë si të gjitha drejtuesit e tjerë të mjeteve. Të ecin vetëm në korsinë e biçikletave, të respektojnë semaforin dhe të mbajnë kaska“, u shpreh Meridian Hasa, inspektor i qarkullimit rrugor.

Megjithëse janë bërë masive në përdorim monopatinat por edhe motorë elektronik drejtoria e përgjithshme e shërbimit të transportit rrugor nuk ka bërë ende një klasifikim për t’i quajtur këto mjete elektronike motorike apo mjete çikliste.

Top Channel