I kontaktuar me telefon nga Top Channel, ish-kryebashkiaku i Devollit, Bledjon Nallbati tha se do të bëjë kallëzim për shpifje ndaj 27-vjeçares Deizi Arapi.

“Jam i habitur nga këto akuza. Unë kam pasur vetëm një konflikt verbal kur isha kryebashkiak, por asgjë më tepër. Besoj se është nxitur nga dikush tjetër për të bërë këto akuza. Sa i përket punonjësit tim nuk mbaj përgjegjësi për çdokënd që kam të punësuar me kë zihen dhe çfarë bëjnë. Sapo të kthehem nga Gjermania do të bëj një kallëzim për shpifje”, tha Nallbati, ndërsa ndodhet në Gjermani.

Deizi Arapi, e reja së cilës iu dogj automjeti për herë të dytë para shtëpisë, në një intervistë për Top Channel kërkoi ndihmë nga organet duke u shprehur se ngjarjet që i kanë ndodhur kanë lidhje me një konflikt të vjetër.

Ajo shprehet se nuk ndihet e sigurt, duke i lidhur ngjarjet me një konflikt të ndodhur 4 vite më parë me ish-kryebashkiakun e Devollit, Bledjon Nallbati.

“I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që më ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. 4 vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish kryebashkiakun Bledjon Nallbati ( aktualisht deputet). Pas konfliktit mu dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant ashtu si herën e kaluar. Djegien e makinës së parë policia e konsideroi aksidentale por ja qe ngjarja po përsëritet. Nëse nuk merren masa nuk është çudi që unë të përfundoj në ndonjë kanal”, tha Arapi.

Top Channel