Në pritje të një vendimi penal, një 55-vjeçar me probleme të shëndetit mendor, mbahet në burg prej më shumë se një viti.

Muharrem Çaushi nga fshati Manskuri, sipas familjarëve, ndodhet në burgun e Lezhës, ndërsa gjykata e Durrësit vijon të zvarrisë procesin e gjykimit dhe caktimit të masës së mjekimit për të.

Ai u arrestua më 17 gusht të vitit të kaluar. Që nga ai moment mbahet në qeli. Shkak u bë zjarri që ndezi në tokën e vet për të djegur barishtet e këqija. Si në shumë raste të tjera, i favorizuar nga era zjarri u përhap edhe në tokën fqinje që i përket djalit të xhaxhait të tij.

“E kam çun kunate. Ka qenë i sëmurë. Qe martuar, po s’ndenjën bashkë se ishte me mendt e huaja“, tha Bajame Çaushi, nusja e xhaxhait, familja e dëmtuar.

-Pse e futi në burg policia?

“Shkoi t’u pastru fiqtë e vet dhe i vëllai i ka thënë digje barin. Ai e dogj, po erë e madhe dhe mori flakë. Mori pylli dhe gardhi i çunit tem. U dogjën fiqtë e ullinjtë e zjarri mori përpjetë”, tha Bajame Çaushi.

“Ai s’ka bërë asnjëherë burg. E njohin të gjithë dhe mjekohej. Pinte atë ilaçin me pika dhe qetësohej. Ai nuk ngiste askënd”, u shpreh i vëllai Tasim Çaushi.

Ndonëse nuk ka shkuar asnjëherë ta vizitojë në burg, Tasimi, vëllai i vogël i Muharremit shprehet se gjendja e tij në burg mund të rëndohet, por ai nuk mund të reagojë për gjendjen e tij në burg, pasi as ai dhe as të tjerë familjarë nuk mund të kujdesen për të.

“S’kemi shkuar. S’kemi pasur mundësi. Këta thonë është në Lezhë. Ai s’është për burg, se është i sëmurë.. Atje ai bëhet edhe më keq”, tha vëllai i tij.

 “Po vuan në burg, ka një vit, po kush ka shkuar për ta pa?! Unë makinë s’kam. Kam burrin të paralizuar. As vëllai i vet tjetër s’ka shkuar. Pa makinë, me halle. Çunat e dajës së tij kanë thënë që kanë shkuar, po s’dimë gjë”, nusja e xhaxhait.

I diagnostikuar prej shumë vitesh me skizofreni, familjarët i druhen pasojave të tjera të veprimeve të tij, kryesisht në dëm të vetes, ndërsa ka nevojë për kujdes të posaçëm.

“Një cigare duhan që ka pi i ka vënë zjarrin krevatit të vet. Nusja e djalit i ka hedhur ujë dhe e ka shpëtuar. Ai të djeg. Me ardh këtu kush do t’i bëjë hyzmet?! E di që është në burg të Lezhës. Nuk është e drejtë po ç’të bëjmë?!“, u shpreh Bajame Çaushi.

Të vetmit që interesohen për të janë daja dhe i vëllai Kujtimi, që i kanë gjetur edhe një avokat i cili në një komunikim telefonik u shpreh se në shqyrtimin e çështjes së 55-vjeçarit ka ndikuar përveç bojkotit të avokatëve dhe muajit gusht, edhe mosparaqitja e palës së dëmtuar, të afërmve të tij, në gjyq. Koha që ka kaluar i ka ulur gjakrat mes tyre.

“S’ka pse të jetë (në burg). Ai s’ka bërë ndonjë gjë. Thjesht, padashje u bë ajo punë”, djali i Bajame Çaushit.

Pavarësisht nevojës për mbikëqyrje dhe trajtim psikiatrik në një institucion të specializuar, i sëmuri vazhdon të qëndrojë në burg, ndërsa në gjykatën e Durrësit nuk është caktuar ende seanca e radhës.

Top Channel