I dogjën makinën, Deizi Arapi: Jam konfliktuar me ish-kryebashkiakun se më pushuan padrejtësisht mamanë nga puna

25/09/2022 11:57

Deizi Arapi, 27-vjeçarja së cilës iu dogj automjeti para shtëpisë në një intervistë për Top Channel kërkoi ndihmë nga organet duke u shprehur se ngjarjet që i kanë ndodhur kanë lidhje me një konflikt të vjetër.

Ajo shprehet se nuk ndihet e sigurt, duke i lidhur ngjarjet me një konflikt të ndodhur 4 vite më parë me ish-kryebashkiakun e Devollit, Bledjon Nallbati.

Arapi tha se 4 vite më parë mamaja e saj është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe ajo është  konfliktuar me ish kryebashkiakun Bledjon Nallbati, i cili është aktualisht deputet.

“I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që më ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. 4 vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish kryebashkiakun Bledjon Nallbati ( aktualisht deputet). Pas konfliktit mu dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant ashtu si herën e kaluar. Djegien e makinës së parë policia e konsideroi aksidentale por ja qe ngjarja po përsëritet. Nëse nuk merren masa nuk është çudi që unë të përfundoj në ndonjë kanal”, tha ajo.

Top Channel