Automjeti i një 27-vjeçareje nga Bilishti u shkrumbua gjatë natës para derës së shtëpisë ku ajo e kishte lënë të parkuar ndërsa dyshohet se ngjarja ka qenë e qëllimshme.

Deizi Arapi pronarja e makinës tip “Benz Mercedes” që u dogj ngre akuza se ngjarja lidhet me një konflikt të vjetër mes saj dhe ish kryebashkiakut Bledion Nallbati aktualisht deputet i PD për shkak të largimit të padrejtë të nënës së saj nga puna, ndërsa dëshmon se personi që ka kryer veprimin është punonjësi i karburantit në pronësi të deputetit.

Kjo është hera e dytë që makina e saj digjet brenda 4 vitesh duke u përsëritur e njëjta skenë. Në vitin 2018 mjeti tip “Smart” i së resë u dogj në të njëjtën mënyrë dhe ngjarja u klasifikua si aksidentale por këtë herë Arapi kërkon që të dalë e vërteta pasi trembet se situata mund të agravojë edhe më tej.

Deputeti Nallbati i cili aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka sqaruar se me të renë nuk ka konflikte dhe se me të ka komunikuar vite më parë vetëm për rastin e nënës së saj.

Më tej ai ka shtuar se akuzat ndaj tij mund të jenë të nxitura nga dikush tjetër dhe se sapo të kthehet nga Gjermania do ti drejtohet organeve ligjzbatuese duke bërë një kallëzim për shpifje.

Vetëm një muaj më parë 27-vjeçarja Arapi la nga gjykata masën e sigurisë detyrim paraqitje, pasi u arrestua për shkak se u konfliktua verbalisht dhe fizikisht me punonjësit e policisë për shkak se ata i kërkuan të mos prishnin rendin dhe qetësinë publike pasi së bashku me motrën dhe disa miqtë e saj po dëgjonin muzikë në makinë gjatë mesnatës.

Top Channel