Piktori Sali Shijaku është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Lajmin e trishtë e ka njoftuar djali i artistit, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Sali Shijaku u lind në vitin 1933 një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, të cilin e mbaroi më 1952-shin, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) .
Tabloja e titulluar “Heronjtë e Vigut” ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë.
E filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘50. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.
Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: “Portret vajze”, “Kostum tiranseje” duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative.
Vepra e “Piktorit të Popullit”, Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura.
Kështu, tabloja “Partizanët e batalionit – Hakmarrja” (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës. E veçanta në këtë tablo ishte paraqitja jo e plotë e personazheve të saj, një hap ky mjaft i guximshëm për kohën kur u krijua vepra.
Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja “Mic Sokoli” 1969, e “shkëputi” artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe.
Figura e artistit është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe sculpture. Ndërsa veprat e Sali Shijakut i gjejmë kudo në Shqipëri në kryqytetin e kulturës në Paris e në shumë vende të tjera të botës.
Veprat e artistit janë ekspozuar herë pas herë në emisionin “ArtKand” në Top Channel.
Homazhet në nder të artistit të njohur do të organizohen nga bashkia e Tiranës nesër në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10-12.
Top Channel