Kriza e energjisë i ka vënë të gjitha vendet në pozitë mbrojtëse ndaj konsumatorëve dhe bizneseve, duke parashikuar paketa të plota me mbështetje direkte.

Gjermania, për shembull, vetëm pak ditë më parë, njoftoi se do të japë një pagesë 300 euro për punonjësit, pensionistët dhe studentët.

Po kështu do të ofrojë një sasi energjie, që ende mbetet për t’u përcaktuar, me një çmim më të ulët. Të paktën 65 miliardë euro do të vihen në dispozicion nga qeveria për të kaluar këtë dimër. Franca ka vendosur për familjet me të ardhura të ulëta të ofrojë një çek 100-200 euro.

Kjo vjen në kushtet kur qeveria do të rrisë çmimin e gazit dhe energjisë me një tavan 15% vitin tjetër, që në vlerë përkthehet vetëm 25 euro në muaj, dukshëm më e ulët se mbështetja. Shuma që do të përfitojë familja, do të varet nga të ardhurat mesatare.

Spanja ka deklaruar se familjet dhe bizneset e vogla nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për gazin, që është burimi kryesor i energjisë. Kjo do t’u kursejë atyre mesatarisht 5-19 euro çdo muaj. Masa për gazin vjen një vit pasi qeveria uli TVSH-në tek energjia elektrike, nga 21% në 10% dhe që u pasua me një reduktim të mëtejshëm nga 10 në 5% në qershor 2022.

Këto tre vende u morën si shembull nga qeveria shqiptare në planin e masave për energjinë, duke treguar mënyrën sesi këto shtete po çonin para objektivat e kursimit, por jo ato të mbështetjes.

Qeveria shqiptare është e bindur se e mbështet sa duhet konsumatorin familjar dhe biznesin, ku nuk mungojnë deklaratat se barrën për importet e shtrenjta po e mban buxheti (përmes garancive ndaj kompanive publike). Falë kësaj, konsumatorët e blejnë energjinë shumë më lirë se çmimi i bursës. Ajo që qeveria harron është fakti se sa herë përmendet fjala “buxhet” dhe mbështetja që buron prej tij, indirekt janë qytetarët dhe bizneset të cilat po e paguajnë blerjen e energjisë.

Në prezantimin e pak ditëve më parë të paketës së dytë të mbështetjes dhe planit për energjinë elektrike, ajo që ra në sy dhe ka hapur debat të gjerë, është kthimi i faturimit të energjisë me fasha. Tashmë, çdo konsumator që shpenzon më shumë se 800 KWh do të paguajë diferencën mbi këtë fashë me çmime tregu, i paracaktuar në 42 lekë pa TVSH. Përveç “shtrenjtimit” të faturave për një pjesë të konsumatorëve në kohë krize, planit nuk i mungon as ana shtrënguese e tij, duke parashikuar alternativën e preferuar në shumë raste, siç është ngritja e Task Forcës. Këtë herë, për Energjinë.

Importet arrijnë 340 milionë euro, prodhimi në “mëshirë të reshjeve”

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, që është ngarkuar me detyrën e sigurimit të furnizimit me energji në vend, ka shpenzuar qindra milionë euro. Të dhënat e publikuara nga KESH dhe të përpunuara nga “Monitor”, konfirmojnë se nga fillimi i vitit e deri më tani janë shpenzuar 340 milionë euro për importe. Me këtë fond janë përballuar blerjet nga 1 janari deri në datë 18 shtator. Për periudhën 1-18 shtator janë shpenzuar 42 milionë euro.

KESH e përqendroi gjatë korrikut dhe gushtit furnizimin në vend në pjesën kryesore te prodhimi në kaskadë, për shkak të çmimeve, që kapën nivele rekord. Këto të fundit arritën në fund të gushtit në 1040 euro/MWh, çka në çmim tregu në Shqipëri përkthehet 130 lekë/KWh pa i shtuar këtij të fundit kosto transmetimi, apo shpërndarjeje.

Fatura e kripur e importeve pritet të rritet më tej, deri në fund të këtij viti, gjë që duket se detyroi qeverinë të zbatojnë masa urgjente kursimi. Kaskada e Drinit ka zbritur me shpejtësi dhe ka një rezervë energjetike që, në datë 15 shtator, ishte 440 GWh. Shpresa e vetme e gjeneruesit publik për lehtësim të situatës mbetet fillimi i reshjeve.

“Muaji shtator, sipas parashikimeve, pritet të jetë i freskët dhe i lagësht, ku priten reshje shiu, që do të përmirësojnë ndjeshëm situatën hidrike në kaskadë. Reshje shiu priten në datat 16-17 shtator.

KESH sh.a., nga data 11 shtator, ka ndalur plotësisht prodhimin nga HEC Fierza, me qëllim përpunimin e prurjeve anësore të Komanit dhe Vau të Dejës. Nivelet e liqeneve në këto dy HEC-e po ulen gradualisht për të krijuar hapësirën e nevojshme të rezervimit për prurjet e mëdha të parashikuara në datat 16 – 18 shtator dhe datat 20 – 21 shtator. Ndërsa liqeni i Fierzës, si pasojë e menaxhimit dhe prurjeve që priten, do të rritet gradualisht, duke përmirësuar kështu rezervën energjetike në kaskadë”, njoftoi KESH.

Nivelet e liqeneve në kaskadën e Drinit nuk premtojnë shumë nëse reshjet do të mungojnë. Fierza, HEC-i me liqenin më të madh, prej fillimit të vitit mbetet nën mesataren historike. Konkretisht, në datë 15 shtator, niveli i Fierzës ishte 267.57 metra, Komani 168.52 metra dhe Vau i Dejës 73.15 metra.

Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Rregullorja parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve. Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.

Burimi: KESH dhe përpunime të Monitor

Fasha 800 KWh, numri i atyre që preken më i lartë se deklarimi i qeverisë

Qeveria prezantoi faturimin me dy fasha nën argumentin se ata që konsumojnë më shumë, do të paguajnë më shtrenjtë. Deri në 800 KWh, një konsumator shpenzon një faturë 9129 lekë me TVSH. Fatura e tij do të rritet në mënyrë të dukshme për çdo KWh që do të konsumohet mbi fashën që qeveria e ka quajtur “mburojë”.

Zyrtarisht, në planin e masave, pranohet se efektet nisin nga 1 tetori dhe do të dekurajojnë konsumin e lartë të energjisë duke sjellë kursim 2.5% në nivel kombëtar. Aplikimi i fashës, nga ana tjetër, do të sjellë 100 milionë euro gjatë periudhës tetor 2022-dhjetor 2023, që është planifikuar të jetë në fuqi. Sipas qeverisë, 96% e abonentëve familjarë konsumojnë më pak se 800 KWh në muaj dhe vetëm 4% e tyre do të preken nga kjo masë, pasi pikërisht ky numër merr 19% të konsumit mujor të familjarëve në total.

Shifra që u deklarua zyrtarisht se do të preken nga kjo nismë është për 40 mijë abonentë, por qeveria e pranon se në muajt e ftohtë, kjo mund të jetë më e lartë. Se cili është numri real i atyre që preken në këta muaj nuk ka asnjë shifër zyrtare, madje institucionet duket se janë në unison për ta mbajtur “sekret”.

“Nga të gjitha analizat tona që marrin në konsideratë, 1 milion e 90 mijë abonentë janë të paktën 40 mijë familje që kalojnë limitin e 800 KWh. Padyshim në periudhën më të ftohtë të 2-3 muajve, mund të ketë edhe një shtim të familjeve, por synimi i fashës është kursimi. Fashën nuk e kemi vendosur mbi parimin sa familje konsumojnë, por mbi parimin se çfarë mbulojnë këto 800 KWh dhe të kemi ndërgjegjësim dhe mirëkuptim të njerëzve.

Ky çmim, që nis nga 1 tetori, do të qëndrojnë në fuqi deri në 31 dhjetor, sepse ne do ta rishikojmë atë në bazë të kushteve. Nëse s’do kemi shumë importe, do të ulim çmimin, e nëse s’do të kemi fare importe, do ta heqim fashën, pra çdo gjë në varësi të ecurisë. Ne s’jemi dakord me fashat, por është masë për të kursyer”, – do të argumentonte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një takim me gazetarët.

Askush nuk e di ndikimin real

Shifra që u deklarua zyrtarisht se do të preken nga kjo nismë është për 40 mijë abonentë, por qeveria e pranon se në muajt e ftohtë, kjo mund të jetë më e lartë. Se cili është numri real i atyre që preken në këta muaj nuk ka asnjë shifër zyrtare, madje institucionet duket se janë në unison për ta mbajtur “sekret”.

Një nga shifrat pas së cilës është kapur fort qeveria në këtë fazë është mbështetja që jep buxheti për familjet në varfëri energjetike, duke theksuar vlerën 22.2 milionë euro për këtë grup. Në fakt, Shqipëria ka 29% të familjeve në varfëri energjetike, që është edhe arsyeja kryesore pse kemi një shifër të lartë të fondit, pasi çdo familje merr vetëm 104 euro në vit.

Mali i Zi jep vetëm 2.7 milionë euro, por ka në varfëri 10% të familjeve që marrin 141 euro; Serbia vetëm 3% të familjeve që marrin 131 euro, kurse Bosnjë-Hercegovina që jep 178 euro për familje, sepse vetëm 8% të familjeve bien në këtë grup. Edhe Kosova jep të paktën 123 euro për familje, çka bën vendin tonë të fundit në rajon për mbështetje.

Shqipërinë e pret një dimër i vështirë, situata mbetet e paqartë

Askush nuk di të thotë sot sesa do të zgjasë kriza e energjisë, e cila globalisht i dha shenjat në fillim të vitit të kaluar, por në Shqipëri do të bëhej e dukshme në gusht 2021. Në atë kohë u mendua se efekti i kërkesës post-pandemike për më shumë energji, teksa ekonomitë rikuperoheshin, do të shuhej në fund të vitit pasardhës.

Shfaqja në horizont e luftës Rusi-Ukrainë bëri që panorama të bëhej edhe më pesimiste. Për shkak të çakordimit që ka sjellë situata energjetike në çdo aspekt të ekonomisë globale, rikthimi në normalitet, sipas ekonomistëve evropianë, mendohet se do të jetë përtej vitit 2023. Për shkak të të papriturave, askush nuk ka hartuar plane afatgjata, ndaj shumica e qeverive e kanë vëmendjen te dimri që kemi para. Por si pritet ta përballojë Shqipëria?

Qeveria ka deklaruar se, në mënyrë kategorike, nuk do të ndërpritet furnizimi dhe kjo është arsyeja pse tani po merren masa që kanë në thelb shtrëngimin dhe kursimin. Administratori i KESH, Ergys Verdho, i pyetur mbi pritshmëritë për dimrin konfirmoi për “Monitor” se situata pritet të jetë jo e lehtë.

“KESH, dhe jo vetëm, pret përballje me një situatë jo të lehtë në kushtet kur çmimet në tregjet e energjisë kanë tendencë të qëndrueshme në nivele të larta dhe ku përballja dhe me një situatë jo të favorshme hidrike do ta ekspozonte sektorin e energjisë me kosto të larta, si rezultat i nevojës për import.

Ndonëse në një situatë të parashikueshme të vështirë, KESH sh.a., dhe qeveria shqiptare janë duke punuar në të gjitha skenarët që garantojnë furnizimin me energji të klientëve fundorë, pa rënduar xhepat e familjarëve. Përmirësimi i mundshëm i treguesve hidrologjikë, si dhe bashkëpunimi i qytetarëve në drejtim të përdorimit më me eficiencë të energjisë mund të ndryshojnë qasjen e parashikimeve të deritanishme dhe mund të rezultojë në një situatë optimiste për të gjithë sektorin dhe për rrjedhojë, edhe për ekonominë vendase”, – nënvizoi Verdho.

Administratori i OST, Skerdi Drenova, pohoi se pavarësisht situatës së vështirë që ka sjellë kriza, sistemi i transmetimit është i aftë të mbulojë çdo kërkesë për energji nga konsumatorët shqiptarë, çdo kërkesë, si në import, ashtu edhe në eksport. “Janë marrë të gjitha masat për mbrojtjen gjithashtu nga sulmet kibernetike, të cilat cenojnë sigurinë e sistemit energjetik”, – tha ai.

Insitucionet me “administrator” energjie, do të mbikëqyrë kursimin

Çdo institucion shtetëror do të ketë një “administrator” energjie, që do të mbikëqyrë respektimin e planit të kursimit që ka vendosur të zbatojë qeveria. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi se ky administrator nuk do të jetë një punonjës i ri, por dikush që ka një funksion në organikën e institucionit apo ndërmarrjes, i cili do të marrë përsipër edhe këtë detyrë.

“Do të dalim me akt normativ, do të vendosim të ketë një punonjës, që punon në institucion, i cili do të marrë dhe detyrën e mbikëqyrjes së eficiencës së energjisë elektrike. Pra nuk do të kemi një punonjës të ri. Kemi vendosur një objektiv për uljen me 15% të konsumit të çdo ndërmarrje shtetërore krahasuar me një vit më parë. Ky konsum i ulur me 15% i përkon uljes me 5% në rang kombëtar. Me një llogari të thjeshtë 1% konsum më pak në rang vendi, është i barabartë me 28 milionë euro”, – sqaroi ministrja Balluku.

Task Forcë për vjedhjet e energjisë dhe për të “mbikëqyrur” OSHEE-në

Energjia është një nga sektorët ku Task-Forcat e dedikuara nuk kanë munguar herë pas here. Duket se kriza e ka kthyer sërish një e tillë, e cila do të ketë disa detyra gjatë periudhës në fuqi.

“Task-Forca ka disa detyra dhe arsyet se pse nisi kanë të bëjnë me momentin ku jemi. Kemi të bëjmë me një krizë të thellë energjie, për të cilën nuk presim të përmirësohet në muajt në vijim, ndaj dhe është e rëndësishme që të rrisim eficiencën dhe kursimin, pasi çdo KWh ka marrë tjetër vlerë.

Kujdesi i shtuar nis që nga kujdesi për të eliminuar lidhjet e jashtëligjshme. Kjo është një luftë që ne e kemi bërë prej kohësh dhe kemi ulur humbjet nga 45% në 20%. Po mundohemi që me investime t’i çojmë në 16%, por për momentin do të fokusohemi te lidhjet e jashtëligjshme që duhen dënuar në çdo kohë. Task-Forcë do të jetë në terren në çdo pjesë të vendit së pari për të minimizuar këto lidhje dhe së dyti, edhe për të mbikëqyrur respektimin e planit të kursimit nga ana e institucioneve”, – konfirmoi MIE.

Bashkë me futjen e fashës, duket se për Task-Forcën ka dalë edhe një detyrë tjetër, që sipas MIE do të jetë mbikëqyrja e OSHEE-së në kuptimin e nëpunësve të faturimit, për të mos lejuar abuzime të mundshme.

Financimi i 2000 impianteve diellore për ngrohjen e ujit, si do veprohet

Në planin e masave të energjisë, qeveria deklaroi se parashikon të mbështesë të paktën 2 mijë familje për instalimin e impianteve diellore për ngrohjen e ujit. Sipas saj kjo lidhet me faktin që të paktën 20-30% të konsumit të energjisë, disa familje e shpenzojnë për ngrohjen e ujit.

Mbështetja parashikohet që të zërë 70% të vlerës së financimit që do të thotë se, nëse një impiant kushton 1 mijë euro, familja përfituese do të paguajë vetëm 300 euro, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga shteti.

Këto impiante nuk duhet të ngatërrohen me impiantet fotovoltaikë pasi funksioni i tyre është që përmes teknologjisë, mundësojnë ngrohje të ujit, ndërsa të dytët, prodhim energjie. Nga një vëzhgim në treg i “Monitor” për çmimet e këtyre impianteve, për një depozitë uji deri në 200 litra, çmimi i strukturës dhe montimit varion 1200-1800 euro, sipas markës që vendoset. Kjo nuk i përjashton çmime më të lira apo më të shtrenjta, në varësi të teknologjisë.

Projekti mbështetës i qeverisë do të zbatohet në disa faza, ku nga data 1 tetor 2022 do të ketë një hapje për shprehje interesi për ofruesit e impianteve. Ata do të paraqesin alternativat e tyre, ku do të përzgjidhet mundësia më e mirë ekonomikisht. Më pas, nëpërmjet një aplikacioni, duke nisur nga data 1 nëntor, qytetarët do të mund të aplikojnë dhe parimi i ndjekur do të jetë “ai që aplikon i pari, shërbehet i pari”.

Secili nga qytetarët, sipas sqarimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të mund të shohë në kohë reale renditjen e tij. Ministrja Balluku tha se 2000 familjet e para nuk do të jenë të fundit. Pas aplikimit të fazës së parë të këtij projekti dhe pasi të shihet interesi, mund të vijohet me një shpallje të dytë e kështu me radhë. Brenda 31 marsit, do të përfundojë edhe ky proces, ndërkohë që gjithçka do të monitorohet nga agjencia e ngarkuar me këtë detyrë, që është ajo për Eficiencën e Energjisë.

Qeveria mund të kalojë te netimi vjetor për vetëprodhuesit nga fotovoltaikët

Ministrja Balluku tha se ka vijuar interesi për ndërtimin e impianteve fotovoltaikë, diçka që është bërë edhe më interesante si investim, për shkak të fizibilitetit të lartë ekonomik nga këto projekte, si rezultat i çmimeve të rritura.

Balluku tha se për impiantin e Karavastasë ka nisur puna prej disa kohësh, ndërkohë që Spitalla është në fazat e fundit të dokumentacionit për të nisur punën më pas. Në total, kapaciteti i instaluar për projektet për të cilat ka interes në energjinë fotovoltaikë është 610 MW, sipas ministrisë.

Lidhur me një kërkesë të vetëprodhuesve të energjisë që instalojnë impiante deri në 500 KWp dhe që kanë kërkuar një bilanc vjetor, ministrja në një dalje për mediat konfirmoi se do të ketë një konferencë të posaccme ku do të jepen detaje.

“Është një nga kërkesat që na ka ardhur dhe ne besojmë se pavarësisht problemeve teknike, që mund të ketë për zgjidhjen e saj, mendojmë që është një problematikë të cilën mund ta adresojmë dhe netimin vjetor, i cili mund të aplikohet, duke e bërë më të ndjeshme dhe më të rëndësishëm shkëmbimin e energjisë për palën e investitorëve”, – tha Balluku.

Ajo sqaroi se Shqipëria ofron kapacitetin më të madh të lejuar të instalimit për vetëprodhuesit, duke mbajtur të njëjtin nivel si Spanja, ndërkohë që vende të tjera e kanë më të ulët dhe kjo në vetvete është një mbështetje e dhënë direkt për bizneset vetëprodhuese.

 

Burimi: Bursa e Energjisë, përpunime të Monitor
Burimi: INSTAT

 

Top Channel