Greva në Arsim/ Afrohen palët, qeveria e Kosovës zotohet se do shqyrtojë kërkesat e mësuesve

24/09/2022 12:36

Pas gati një muaji grevë e diskutimeve pa zgjidhje mes Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, këtë të premte doli një propozim nga Komisioni Parlamentar për Arsim, për ta ndalur grevën.

Kreu i këtij komisioni propozoi zbutje të grevës, për të cilin SBASHK-u u zotua se do të shqyrtojë.

“A mundet që në vend të fëmijëve me i marrë notat me i bë si presion sindikal, mos me i vendosë notat, mos me e formalizuar dijen e cila transmetohet tek fëmijët”, tha Ardian Gola.

“Sot gjithsesi mbajmë takim”, u shpreh Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK.

Megjithatë, i gjithë diskutimi u përcoll me tensione mes Ministrit të Financave dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Arsimit që nxiti edhe përplasjen me deputetët e opozitës, që e lëshuan sallën.

“Për z. Ymeri është raportuar se është i afërt me subjekte të caktuara politike, ndoshta mund të na njoftoni a ka ndonjë afërsi të tillë”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Prej dy ditësh jam me Vetëvendosjen”, tha sekretari i SBASHK, Ymer Ymeri.

“Si kalamaj nga çerdhja po vjen këtu, fol për financa, mos na lodh“, replikoi deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati.

Ndërkohë, ishte ministrja Arbërie Nagavci ajo që në vazhdimësi kërkonte fillimin e procesit mësimor të hënën.
“Mos na merrni energji për të diskutuar për gjëra që nuk është nevoja. E zgjidhim edhe këtë po filloni mësimin”.

Punëtorët e sektorit publik, përfshi edhe mësimdhënësit si më të zëshmit kërkojnë 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave, kërkesë të cilën po e refuzon ekzekutivi, duke i ofruar vetëm 50 euro deri në fund të vitit. Sektori publik është në grevë që nga 25 gushti dhe sistemi arsimor që nga 1 shtatori.

Top Channel